“Presim me besim dhe shpresojmë të zbatohet plotësisht Ligji për Gjuhët. Gjuha shqipe, së paku për ne shqiptarët është e shenjtë dhe ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cënimi i saj në çdo formë, padyshim që dhemb shumë dhe cënon pikërisht këtë identitet që ne e afrojmë në në rajon e përtej, si vlerën tonë. Njohim dhe mirëkuptojmë plotësisht shqetësimin e faktorit shqiptar për mundësinë e ndryshimeve të mundshme, varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje po sipas frymës që dikton Marrëveshja Kuadër e Ohrit.”

Kjo deklaratë e bërë të hënën nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali gjatë vizitës së saj në shkup, ka trazuar jo pak politikën maqedonase.

Kryeministri Hristijan Mickovski thotë se nuk ka asgjë kundër Shqipes dhe se i respekton identitetet e gjuhëve të tjera që fliten në Maqedoninë e Veriut.

Hristijan Mickovski: Ne nuk jemi si vendet anëtare individuale që duan të kërcënojnë identitetin e kombeve të tjera, ne nuk kemi një qëllim të tillë, përkundrazi, ne e respektojmë atë identitet dhe veçantinë e gjuhës shqipe dhe gjuhën maqedonase dhe të gjitha gjuhët e tjera që përdorin qytetarët në Maqedoni.”

Por nga Partia e Majta, deklaratën e Spiropalit e kanë cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Amar Mecinoviç – “Levica”: Zyrtarët e huaj, në fakt, nuk duhet të kenë kërkesë për politikën tonë të brendshme, kështu që sinqerisht nuk do të komentojmë sepse është jashtë të gjitha praktikave diplomatike.
Ndërkohë që partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut mbështesin deklaratën e Spiropalit si të duhurën.

Ilire Dauti – Fronti Evropian: Padyshim që gjuha shqipe nuk është gjuhë jetime dhe ka pas vetes një popull të tërë unë e kam shprehur edhe më heret është nder edhe për vetë Maqedoninë e Veriut që ta ketë gjuhë zyrtare një nga tre gjuhët indo-evropiane më të vjetra në botë.
Në javën e parë të Tetorit, Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut do të debatojë rreth mundësisë për abrogimin e ligjit të gjuhës shqipe në tërësi, ose vetëm disa pjesë të tij./Tema