Uniformat blu kanë arrestuar një 26 vjeçar dhe kanë shpallur në kërkim një 24 vjeçar, pasi së bashku prezantoheshin në aplikacione të ndryshme si funksionarë të lartë shtetëror dhe kërkonin shuma të larta parash nga biznesmenë.

Në pranga ka rënë shtetasi Sh.S., 26 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi L.D., 24 vjeç, i identifikuar si organizatori i skemës kriminale të mashtrimit.

26 vjeçari u arrestua në flagrancë teksa po merrte vlerën prej 20 mijë euro nga një administrator i një subjekti privat.

Ai akuzohet për veprat penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Sakaq, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje.

Çështja i ka kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet një tjetër operacion me objektiv goditjen e përfitimit nëpërmjet mashtrimit, të shumave të konsiderueshme të parave.

Operacioni policor i koduar “Apps” arrestoi në flagrancë një 26-vjeçar, teksa po i merrte administratorit të një subjekti privat, 20000 euro, pas mashtrimit në aplikacione të ndryshme, duke u prezantuar si funksionar i lartë shtetëror.

Punohet për kapjen e organizatorit të këtij rasti, të identifikuar tashmë nga Policia.

Sekuestrohen 20000 euro, 3 celularë dhe 1 automjet.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe në drejtimin e Prokurorinë së Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Apps”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi Sh. S., 26 vjeç, banues në Tiranë.

26-vjeçari u kap në flagrancë ndërkohë që po i merrte administratorit të një subjekti privat, të cilin e kishte mashtruar në aplikacione të ndryshme, 20000 euro. Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u identifikua dhe u shpall në kërkim organizatori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi L. D., 24 vjeç.

Gjatë hetimeve ka rezultuar se këta shtetas, duke u prezantuar si funksionarë të lartë shtetërorë, i kanë kërkuar administratorit, 50 000 euro.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit L. D., i cili nga verifikimet rezulton se është jashtë shtetit, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”./GazetaShqiptare