Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha u shpreh sot se “bektashinjtë shqiptarë kanë derdhur gjak për flamurin kuqezi dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në Rilindjen Kombëtare dhe në pavarësimin e Shqipërisë dhe nuk kanë nevojë për shtet tjetër”.

Në një intervistë televizive, Basha tha se “Rama përdor këtë tallje për të hequr vëmendjen nga problemet kryesore që kanë shqiptarët”.

“Si kryeministër i shqiptarëve nuk është aty për t’u marrë me kryegjyshatën, por për të zgjidhur problemet e vendit. Tregon se është jashtë realitetit, nuk ka asnjë lidhje me hallet, problemet, shqetësimet e dëshirat e shqiptarëve dhe të fëmijëve të tyre. Nuk ka asnjë lidhje dhe tallet botërisht me bektashinjtë në radhë të parë. Tallet me bektashinjtë sepse bektashinjtë shqiptarë kanë derdhur gjak për flamurin kuqezi. Kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rilindjen kombëtare dhe në pavarësimin e Shqipërisë”, tha Basha.

Basha tha se “bektashinjtë vetë kanë luftuar për Shqipërinë dhe për shtetin e Shqipërisë”.

“Është një tallje në radhë të parë që tregon se sa i shkëputur është Edi Rama, se si është izoluar tërrësisht nga shqiptarët dhe problemet e tyre. Edi Rama është një nga arsyet pse shoqëria shqiptare lëngon. Eshtë arsyeja kryesore që përmes korrupsionit qeveritar, përmes praktikave të lidhura me krimin e organizuar të cilat janë të denoncuara nga raportet ndërkombëtare dhe përmes zhbërjes së shtetit në shërbim të qytetarëve, e ka rraskapitur shoqërinë shqiptare e cila sot përballet me problem të paimagjinueshme”, tha ai.

Basha tha se demokratët euroatlantikë nuk do të heqin dorë nga rekursi në Gjykatën e Lartë në lidhje me vulën e partisë dhe në të njëjtën kohë do të punojnë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Sipas tij, në javën e parë të tetorit një pjesë e tyre do të jenë në terren, ndërsa zyrtarizimi do të jetë në një format që përfshin edhe aleatët politik.

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha u pyet edhe për hetimet ndaj Sali Berishës. Basha u shpreh se ajo që ka ndodhur është paralajmërimi që bëri para 3 vitesh që Berisha po përdor Partinë Demokratike në përballjen me drejtësinë.

Ai përsëriti se Berisha nuk ka axhendë të sjell PD në pushtet por po e bën këtë për fatin e tij personal dhe të familjes së tij. Sipas Bashës, kështu përfiton edhe Edi Rama për të zgjatur pushtetin e tij.

“Kjo është axhenda personale e Sali Berishës dhe në mënyrë do të thoja mrekullisht edhe axhenda që i leverdis Edi Ramës për të zgjatur pushtetin e tij. Ndaj janë në një sinkroni të plotë. Bashkë kanë votuar për të liruar të dënuarit nga SPAK, ndërkohë që javën e ardhshme, dhjetëra protestues demokratë do të vazhdojnë të paraqiten para dyerve të gjykatave sepse po ky grup që votoi për të akuzuarit e Edi Ramës, refuzoi të kërkonte lirimin nga akuza të atyre që protestuan kundër korrupsionit”, tha Basha./ata