Kryeministri Rama tha sot nga Fieri se qeveria do të bëjë një sërë ndryshimesh në skemën e sigurimeve shoqërore, mes tyre edhe njohjen automatike të viteve të punës për ata që kanë dalë në pension në periudhën 1993-1994.

“Kemi pasur një problem që pensionistët që vazhdonin punonin si të vetëpunësuar, u kërkohej që të paguanin edhe sigurimet shoqërore dhe këtë gjë ne e kemi ndryshuar. Tani, me ndryshimet që po përgatisim dhe një reforme më të gjerë të pensioneve është shumë e rëndësishme për këtë qark, por edhe për të tjerët që të dinë disa gjëra. Atyre që deri më sot u thuhej që nuk kemi çfarë të bëjmë se ke dalë në vitet 93’-94’ dhe arkivat ishin komplet inekzistente, nuk kemi regjistra, nuk dimë… Do ju bëjmë njohjen automatike të viteve të punës, të gjithëve, dhe kjo nuk do të ketë asnjë burokraci dhe për këtë shkak do t’i lidhet një pension i ri”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se i ka kërkuar zv.kryeministres Balluku që nga janari i vitit të ardhshëm, në faturat e energjisë elektrike për pensionistët të ketë një rishikim.

“I kam thënë Belindës, ti je ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, por nuk e di si do ja bësh tani, që pensionistët në Fier të të mbajnë në krah. Sikur, qoftë edhe me një qindarkë t’ua ulësh çmimin e energjisë elektrike. Duke u nisur nga Fieri, për të çuar një mesazh të ngrohtë tek të gjithë, që përveç bonusit të kenë edhe një lehtësi tjetër. Nuk duhet ta kalojnë Vitin e Ri pa u thënë pensionistëve që do paguani më pak lekë te fatura e energjisë elektrike që do ju vijë në janar. Dashuria e Fierit është gjë e madhe, duhet të investosh.”/ata