Shifrat zyrtare tregojnë se muaj Korrik ka pasur rritjen më të vogël të turistëve të huaj në Shqipëri në krahasim me vitin e shkuar.
Pas një rritje të suksesshme në fillim të vitit, nga Janari deri në Maj, Qershori solli një reduktim të vogël, ndërsa muaj Korrik pati frenim më të dukshëm vizitorëve të huaj pasi u rrit me 2.7% në krahasim me Korrikun e vitin 2023.
Ekspertët e turizmit rendisin katër arsye të frenimit të flukseve turisike në vend, nga eventet ndërkombëtare sportive, deri tek rritja abuzive e çmimeve.
Petrit Picaku, ekspert turizmi: Nuk është se s’kemi turizëm, ka turizëm. Mund të kemi një ulje të vogël të turizmit krahasuar me vitin 2023, por ishin disa arsye. E para ishte Kampionati Europian, e dyta ishin Lojërat Olimpike, e treta kosovarët të cilëve iu hoqën vizat dhe mund të lëvizin kudo në vende të tjera të Evropës. Këto janë tre kryesoret dhe e katërta që mund të them se në disa vende çmimet e larta ndikuan sepse në bregun e Shqipërisë çmimet u rritën shumë.
Sipas Petrit Picaku, i cili operon prej shumë vitesh në sektorin e turizmit, Shqipëria është një destinacion me ofertë ekonomike të lirë.
Petrit Picaku, ekspert turizmi: Arsyeja kryesore që të huajt vijnë në Shqipëri janë çmimet, nëse ne do të kemi çmime si Kroacia apo si Malidvet nuk do të vinte njeri. Kështu që nëse ne lëvizim me çmimet Shqipëria do të jetë një vend i jashtëzakonshëm turistik, një destinacion i ri i panjohur dhe deri më sot Shqipëria është vizituar nga 0.1% e turistëve të huaj. Imagjinoni se sa punë do të kemi, nëse do të kemi të gjitha këto gjëra të rregullta, rrugët, infrastrukturën apo mjetet ajrore.
Veç italianëve për vitin 2024 suprizë janë edhe vizitorët nga dy vende të tjera europaine të cilët kanë patur prurje të larta, ndërkohë që hapja e aeroportit ndërkombëtarë të Vlorës pritet të ndryshojë gjithë tregun e turizmit.
Petrit Picaku, ekspert turizmi: Kemi pasur bum të turistëve nga Spanja dhe Austria gjë që nuk e prisnim për 2024. Kemi gjermanë shumë, anglezë po ashtu, kemi edhe nga Amerika. Janë shumë të interesuar, e e vetmja gjë që i penalizon amerikanët janë mjetet ajrore, kështu që në 2025 besoj me aeroportin e Vlorës kjo punë do të zgjidhet.
Sipas Piacku Shqipëria ka mangësi të hoteleve.
Petrit Picaku, ekspert turizmi: Ne jemi të tretët në Ballkan, pas Greqisë dhe Kroacisë. Numri i turistëve po rritet jashtëzakonisht shumë, nëse do të kishim ambiente akomoduese të mjaftueshme në Shqipëri do të vinin edhe 20-30 milionë turistë, por ne kemi ¼ e hoteleve që ka Mali i Zi dhe Mali i Zi ka një popullsi sa Durrësi.
Ndërkohë që sfidë mbetet mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigrimit të lart të të rinjve. Gjatë periudhës 7 mujore Shqipërinë e kanë vizituar 6.3 milionë turistë të huaj./Tema