Dy deputetë të partisë parlamentare në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë më në asnjë votim pa u kthyer në shkollë vajza e cila u pezullua nga mësimi për shkak të bartjes së shamisë, apo mbulesës sipas traditës islame.
Deputeti Visar Korenica në një deklarim në Kuvendin e Kosovës deklaroi në seancë parlamentare të enjten se ka marrë një vendim të tillë, ndërsa pas seancës, qëndrimin e bëri publik edhe në rrjetet sociale.
"Unë nuk do të marrë pjesë në asnjë votim pa u kthyer vajza në shkollë! Sot, në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkova që të mos vazhdohet me seancë pa u kthyer në shkollë një vajzë mbi 18-vjeçare, e cila është larguar padrejtësisht që nga 1 shtatori", shkroi Korenica.
Ai i bëri thirrje ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavcit, që të ndërmarrë hapa për kthimin e vajzës në shkollë dhe ndryshimin e udhëzimit administrativ që ndalon pjesëmarrjen në shkolla të vajzave që bartin shami apo mbulesë sipas traditës së fesë islame.
"Udhëzimi administrativ është i jashtëligjshëm, qeveria është përgjegjëse për ndryshimin e tij. Besoj deri sot e kam dëshmuar që nuk bëj fushatë me bindjet e mija", shtoi Korenica.
Këtij qëndrimi i është bashkëngjitur edhe deputeti Eman Rrahmani, ndërsa për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që nuk lejon që vajzat me shami të vijojnë mësimin në shkollat publike më herët janë deklaruar edhe deputetët tjerë të të njëjtit grup parlamentar, Gramos Agusholli e Labinotë Demi-Murtezi.
- Vajza 18-vjeçare ishte pezulluar nga vijimi i mësimit për shkak të bartjes së shamisë
Gjatë kësaj jave, u bë e ditur se nxënësja 18-vjeçare e gjimnazit "Bedri Pejani" në Pejë, është pezulluar së fundmi nga vijimi i mësimit për shkak se e njëjta ka vendosur që të bartë shaminë.
Drejtori i Gjimnazit, Musa Nikçi, ka thënë se nxënësja e ka njoftuar drejtorinë e shkollës në fund të klasës së 11-të për vendimin për ta vendosur shaminë, por drejtoria e ka njoftuar atë se me udhëzimin administrativ nuk është e mundur që ajo të vijojë procesin mësimor me shami.
Në Kosovë çështja e ndalimit të bartjes së shamisë në shkolla është diskutuar për vite me radhë dhe kjo çështje shpesh është përmendur në premtime elektorale si diçka që do të rregullohet në të ardhmen.
Udhëzimi Administrativ, i cili ka hyrë në fuqi nga viti 2014, e përcakton me nen të veçantë ndalimin e bartjes së uniformës fetare në shkolla.
Edhe udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) i kanë bërë thirrje në vazhdimësi Ministrisë së Arsimit për ndryshimin e udhëzimit administrativ, që sipas tyre po u shkakton vështirësi në shkollim vajzave që duan të mbajnë shami.
Ministrja Arbërie Nagavci kishte thënë se është duke u rishikuar udhëzimi administrativ në tërësi, duke mohuar njëkohësisht se do të ketë diskutime konkrete për çështjen e shamisë./aa