Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se, procesi i anëtarësimit në BE nuk është thjesht një proces teknokratik, por do të thotë një ndryshim i të gjithë shoqërisë dhe për këtë duhet roli i Kuvendit.

Në fjalën e tij në sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të Nismës së Evropës Qendrore, Gonzato u shpreh se, në këtë nismë “bëhen bashkë shtetet anëtare ekzistuese dhe ato që do të jenë shtete anëtare në të ardhmen, duke na lejuar ne që të punojmë së bashku për të bashkëpunuar më tej dhe më thellësisht me njëri-tjetrin, në pjesë shumë e rëndësishme e integrimit evropian”.

“Presidentja e KE, Ursula von der Leyen kur foli përpara Parlamentit Evropian e bëri të qartë vizionin e BE-së, një Evropë më e fortë që sjell të mira, mbron qytetarët dhe mbron edhe demokracinë”, tha Gonzato.

Gonzato theksoi se, ky rajon së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë nuk janë thjesht fqinjë për BE-në, por janë një nga partnerët më strategjikë të BE-së dhe miqtë më të ngushtë.

“Që ky rajon të bëhet pjesë e BE-së, kjo është ajo pjesë integrale e vizionit tonë më të gjerë për një Evropë që të jetë e stabilizuar, e siguruar dhe e begatë”, tha Gonzato.

Ambasadori u shpreh se, pritet që të ҫelen negociatat me Shqipërinë për grupkapitullin e ҫështjeve themelore dhe thelbësore.

“Pas luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, zgjerimi si investim strategjik u bë edhe më i qartë dhe mbetet një përparësi e lartë në axhendën evropiane. Zhvillimet gjatë vitit të fundit kanë treguar sesa dinamik është ky proces në vetvete dhe tashmë ne mezi presim që të ҫelen negociatat me Shqipërinë për grupkapitullin e çështjeve themelore dhe thelbësore”, tha ai.

Është e qartë, nënvizoi Gonzato, që të dyja palët kuptojnë, si brenda, edhe jashtë BE-së, që ky moment për zgjerimin është i rëndësishëm dhe duhet ҫuar më tej dhe për këtë na duhen përpjekje të mëtejshme dhe të forta për reforma.

Duke folur për planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, Gonzato u shpreh se, “qartësisht mënyra se si e mbështesim ne zhvillimin socio-ekonomik dhe konvergjencës socio-ekonomike me BE-në, ndërkohë që ne mbështesim edhe ecurinë për reformat themelore që janë të domosdoshme për procesin e anëtarësimit në BE”.

Këto, tha Goznato, “janë të reflektuara në katër shtyllat e planit të rritjes, të cilat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe natyrisht do të sjellin ndikimin e tyre në suksesin e kësaj nisme”.

“Nuk duhet të harrojmë që kjo nismë e re e prezantuar nga Komisioni Evropian vetëm përpara një viti, kërkon që të rrisë integrimin rajonal ekonomik me anën e tregut të përbashkët rajoni dhe që të fuqizojë edhe lidhjet ekonomike të rajonit me tregun e përbashkët të BE-së. Këto dy elemente ecin në formë paralele, duke hapur tregun tonë për produktet e Ballkanit Perëndimor dhe ne u kërkojmë shteteve të Ballkanit Perëndimor që të hapin tregjet e tyre për fqinjët që janë shtete anëtare të BE-së, sepse ky treg i përbashkët rajonal është themelor për të tejkaluar këto tregje të vogla të fragmentuara, duke i bërë më konkurruese të gjithë punonjësit apo investuesit”, tha Gonzato.

Natyrisht, shtoi ai, që ecuria e arritur deri më tani, për shembull për korridoret e gjelbra, për zonën e vetme evropiane të pagesa, apo për wi-fi për Ballkanin Perëndimor, të gjitha këto janë vërtetë gjëra për t’u përgëzuar.

Por, nënvizoi Gonzato, në të njëjtën kohë i gjithë rajoni duhet të përshpejtojë përpjekjet e veta për zbatimin e planit të veprimit për tregun e përbashkët, si dhe të ecet përpara për të fuqizuar integrimin ekonomik të rajonit, pasi duke bërë këtë do të lehtësohet miratimi dhe arritja e standardeve të BE-së në të gjithë rajonin si dhe përafrimi me rregullat e BE-së, gjë kryesore kjo për të gjithë rajonin.

“Kur ky rajon të aplikojë të gjitha standardet e BE-së, qoftë kjo sot, apo në të ardhmen, atëherë do të arrihet anëtarësimi, pra vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë arritur të njëjtat praktika dhe ky do të jetë realitet, pra integrimi në BE”, tha më tej Gonzato.

Gjithashtu, shtoi Gonzato, angazhimi i shtuar në çështje të jashtme dhe të politikës së sigurisë BE-së janë shumë të rëndësishme dhe këtu përafrimi i plotë dhe linjëzimi i plotë me politikën e përbashkët të BE-së për ҫështje të jashtme dhe ato të sigurisë, si në rastin e Shqipërisë, është objektivi ynë i përbashkët, sepse ne jetojmë në një kontekst gjeopolitik kompleks dhe duhet të veprojmë së bashku si evropianë për këto kriza, qoftë agresioni rus në Ukrainë, ndryshimet klimaterike apo situata në Lindjen e Mesme. Kjo është e vetmja mënyrë sesi mund të mbrojmë interesat dhe vlera tona të përbashkëta”.

“Bashkëpunimi rajonal sjell shndërrim dhe promovon paqen dhe stabilitetin dhe na duhet vërtetë shumë kjo gjë. Këtë e kemi parë dhe në proceset e tjera të zgjerimit në BE. Një mjedis ku ka besim është kyҫ për zbatimin e reformave, të cilat janë të domosdoshme për anëtarësimin në BE dhe bëjnë të mundur që vendet të përqendrohen në një objektiv të vetëm që është integrimi evropian”, tha ai.

Në këtë kontekst, shtoi ambasadori i BE, “Kuvendet, parlamentet kanë një rol kyҫ për të luajtur për t’i sjellë vendet më pranë njëra-tjetrës dhe më tej në anëtarësimin në BE, prandaj shkëmbimi i ideve sot është shumë i mirë dhe e vlerësoj shumë, sepse vetëm parlamentet mund të sjellin legjitimitet demokratik në procesin e anëtarësimit”.

Gonzato nënvizoi se, procesi i anëtarësimit nuk është thjesht një proces teknokratik, por do të thotë një ndryshim i të gjithë shoqërisë, dhe për këtë duhet roli i Kuvendit.

“Dhe duke punuar të gjithë së bashku ne synojmë që të afrohet dhe të arrihet një rajon më i qëndrueshëm, më i sigurt, më i begatë dhe më i ndërlidhur, sepse së bashku ne po e bëjmë këtë rajon dhe Evropën më të fortë, më të sigurt dhe më të mirë për të ardhmen”, përfundoi Gonzato./ata