Maldivet thanë sot se kanë dorëzuar zyrtarisht një deklaratë ndërhyrjeje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për t’iu bashkuar rastit të gjenocidit kundër Izraelit për kryerjen e masakrave në Rripin e Gazës.

“Maldivet, në përputhje me nenin 63 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, parashtruan deklaratën e ndërhyrjes në Aplikimin e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit në Rripin e Gazës (Afrika e Jugut kundër Izraelit)”, tha presidenti i Maldiveve Mohamed Muizzu në një postim në X.

“Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij të paligjshme në Gaza. Sundimi i ligjit duhet të ruhet dhe Izraeli duhet të pushojë aktet e tij gjenocidale kundër popullit palestinez”, shtoi ai.

Maldivet, vazhdoi ai, gjithmonë do të jenë në anën e “njerëzimit, paqes dhe drejtësisë, dhe duke e bërë këtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin palestinez”.

Muizzu tha më tej se Palestina “duhet” të njihet dhe të krijohet bazuar në kufijtë e para vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet.

Afrika e Jugut e paraqiti rastin në gjykatën me seli në Hagë në fund të vitit 2023, duke akuzuar Izraelin, i cili ka bombarduar Gazën që nga tetori i kaluar, për mosrespektim të angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.

Gjykata e lartë e OKB-së urdhëroi Izraelin në maj të ndalojë ofensivën e tij në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Ishte hera e tretë që trupi gjykues prej 15 gjyqtarësh nxorri urdhra paraprakë për të frenuar numrin e të vdekurve dhe për të lehtësuar vuajtjet humanitare në enklavën e bllokuar, ku numri i viktimave ka kaluar mbi 41.600.

Disa vende i janë bashkuar çështjes së gjenocidit kundër Izraelit, duke përfshirë Türkiyen, Nikaraguan, Palestinën, Spanjën, Meksikën, Libinë dhe Kolumbinë. Gjykata filloi seancat publike në janar./aa