Mbi 3,6 milionë tonë mallra janë përpunuar përgjatë 6 muajve të parë të vitit në kalatat e kompleksit portual Durrës-Porto Romano, duke shënuar kështu një rritje prej 15% krahasuar me volumet e përpunuar në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Autoriteti Portual Durrës, në një postim në rrjetet sociale ka ndarë shifrat e mallrave të përpunuara në gjashtë mujorin e parë të vitit 2024. Sipas APD, mbizotërojnë mallrat gjenerale të cilat reflektojnë një rritje në masën 22% në raport me janar-qershorin 2023.

Referuar të dhënave analitike të APD-së, mbi 2,9 milionë tonë mallra janë importuar, ndërkohë që rreth 830 mijë tonë janë transportuar për eksport.

Të njëjtat burime saktësojnë se këtë gjashtë mujor, një rritje të konsiderueshme prej 21% kanë njohur edhe volumet e njësive konteinerike, ku në total janë përpunuar 100,290 TEU krahasuar me 82,616 TEU të përpunuara në janar-qershor 2023.

839 mjete lundruese janë akostuar në kalatat e kompleksit portual përgjatë 6 muajve të parë të këtij viti, shifër kjo, e cila shënon 102 mjete më shumë, në raport krahasimor me 6 mujorin e parë të 2023.

Sa i përket sektorit të udhëtarëve, janë 230 mijë pasagjerë të regjistruar në hyrje-dalje të vendit nëpërmjet pikës kufitare të Durrësit, gjatë janar-qershor 2024, ku një rritje në masën 6% reflektohet në shifrat e shtetasve të huaj në vendin tonë.

Trend rritës kanë njohur edhe shifrat e hyrje-daljeve të mjeteve nëpërmjet Terminalit të Pasagjerëve nga ku janë transportuar mbi 99 mijë automjete, kamionë dhe trailerë ose 4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë 6 mujore të vitit që lamë pas./ata