Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), organizuan në Prishtinë konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ambasadorë, atashe të mbrojtjes të Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe atashetë ushtarakë të të gjitha shteteve partnere të Kosovës.
Zëvendësministri i Mbrojtjes në Kosovë, Shemsi Syla, tha se partnerët e FSK-së kanë luajtur rol thelbësor për fuqizimin e FSK-së, rrjedhimisht sot FSK-ja qëndron e fortë dhe e gatshme për përmbushjen e misionit të saj si garantuese e sigurisë së Kosovës dhe ruajtëse e paqes në rajon.
Syla tha se FSK ka dëshmuar ndër vite përkushtimin e saj për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e gjithë qytetarëve të saj.
"Përmes ushtrimeve të përbashkëta, trajnimeve dhe operacioneve ndërkombëtare ne kemi ndërtuar një forcë të aftë, të disiplinuar dhe të përgatitur për t’u përballur me sfidat e sigurisë brenda dhe jashtë vendit", theksoi Syla.
Shefi i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT), Christian Nawrat, në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se është shumë e rëndësishme të mbahen marrëdhënie të ngushta dhe të besueshme midis palëve.
Ai shprehu besimin që kjo konferencë do të lejojë angazhim në një mirëkuptim edhe më të madh për vitin e ardhshëm.
"NATO mbetet tërësisht e përkushtuar për të luajtur rolin e saj në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, në mbarë rajonin, veçanërisht në sfondin e tensioneve për të cilat jemi të gjithë të vetëdijshëm", theksoi Nawrat.
Ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se Türkiye mendon që mbajtja e sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal është çështje kritike.
Angılı tha se NATO-ja përmes KFOR-it dhe bashkëpunimit bilateral kontribuojnë një ambient të sigurt dhe "Türkiye ka kënaqësinë që të ofrojë mbështetje dhe bashkëpunim po ashtu përmes komandantit të KFOR-it".
"Ne kemi një lidhje të veçantë me gjithë Ballkanin duke përfshirë edhe Kosovën. Këto lidhje përcaktojnë edhe politikat tona drejtë Ballkanit. Në linjën tonë përmes këtyre vijave ne dëshirojmë që të ofrojmë paqe dhe siguri këtu dhe ky është qëllimi ynë kryesor, që të bashkëpunojmë me FSK-në përmes kornizave të NATO-s", theksoi Angılı.
Angılı tha se përmes granteve ushtarake deri më tani Türkiye i ka ofruar më shumë se 14 milionë dollarë në kuptimin e pajisjeve FSK-së, ndërsa mbi 500 anëtarë të stafit të FSK-së kanë marrë trajnime në Türkiye deri më tani./aa