Kuvendi shpalli sot hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant, mandat plotësues, për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Elsa Toska.
Në njoftimin për shtyp të Kuvendit bëhet e ditur se mandati i Toskës përfundon më datën 14 nëntor 2028, referuar vendimit të Kuvendit të vitit 2019 “Për zgjedhjen e Elsa Toskës, anëtare të Gjykatës Kushtetuese”.
Ndërkohë ndaj këtij vendimi reagoi deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cila u shpreh se “kryetarja e Kuvendit ka ndërmarrë një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska”.
“Për të kuptuar më mirë këtë veprim, është e rëndësishme të rikujtojmë dy elemente kyçe. Në vitin 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe futi në Kushtetutë disa dispozita kalimtare për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, i cili saktëson se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028”, u shpreh Tabaku./ata