Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti në një takim menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas.

Gonxhja bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.

“Një iniciativë e rëndësishme që po kontribuon ndjeshëm në zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e lidhjeve tregtare në rajon, duke rritur efikasitetin e transportit dhe reduktimin e kostove të tregtisë për bizneset në Shqipëri dhe më gjerë”, tha ministri.

Gjatë takimit, gjithashtu u diskutua dizenjimi i një projekti të ri në bashkëpunim me Bankën Botërore, i cili do të mbështesë zhvillimin e tregtisë dhe ekonomisë shqiptare në vitet e ardhshme.

“Ky projekt synon të sjellë investime të rëndësishme në drejtim të integrimit me tregun e përbashkët europian, me qëllim përmirësimin e konkurrueshmërisë në treg dhe përmbushjen e standardeve që kërkon tregu i BE-së”, informoi ministri.

Ky bashkëpunim afatgjatë me Bankën Botërore dhe partnerët e tjerë strategjikë, shtoi ministri, përbën një hap të madh drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese për të gjithë qytetarët./ata