Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur gjatë një vizite në Berlin të Gjermanisë, ka kërkuar përfshirjen më aktive të Bashkimit Evropian në çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, si dhe qasje në arkivat dhe lokacionet në Serbi për zgjidhjen e këtij problemi të ndjeshëm.

Në kuadër të procesit të Berlinit, anëtarët e komisionit kanë zhvilluar takime me Grupin për Persona të Zhdukur, Komitetin e Rrjetit Rajonale të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur, si dhe ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryediplomaten kosovare Donika Gërvalla.

Në këto takime është ri-adresuar kërkesa për palën serbe për qasje në arkivat dhe lokacionet në Serbi, zbatimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, si dhe një përfshirje edhe më aktive të BE-së në zbardhjen e fatit edhe të më shumë se 1600 personave të zhdukur edhe 25 vjet pas luftës në Kosovë. /KosovaPress/