Qeveria Laburiste e Australisë po përballet me presion në rritje ndërsa përpiqet të menaxhojë protestat e përhapura propalestineze, të nxitura nga lëvizje në gjithë vendin, gati një vit pas ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës.

Përpara përvjetorit të parë të luftës së Izraelit në Gaza, e cila filloi më 7 tetor 2023, grupet e shoqërisë civile kanë bërë thirrje për demonstrata për të protestuar ndaj dhunës së vazhdueshme dhe për të kërkuar mbështetje për palestinezët.

Të mërkurën, kryeministri Anthony Albanese paralajmëroi protestuesit kundër pjesëmarrjes në tubimet propalestineze në përvjetorin e 7 tetorit, i cili bie të hënën, duke thënë se ato do të jenë "provokuese". Ai i kërkoi publikut të tregojë kujdes dhe të marrë parasysh ndjeshmërinë e situatës, duke u shprehur se protesta të tilla nuk do të ndihmojnë asnjë kauzë.

Lideri i opozitës Peter Dutton shprehu pikëpamje të ngjashme, duke thënë se përvjetori i 7 tetorit "nuk duhet të përkujtohet" dhe i bëri thirrje qeverisë të ndalojë protestat. "Qeveria shtetërore dhe ajo federale duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të parandaluar këto protesta", tha Dutton për "9News".

- Thirrje për dëbimin e ambasadorit të Iranit

Policia e Uellsit të Ri Jugor (NSW), pas diskutimeve me Policinë Federale Australiane, ka aplikuar në Gjykatën e Lartë të NSW-së për të bllokuar dy protesta të planifikuara. Në një deklaratë, ata theksuan se ndërsa mbështesin të drejtën e fjalës së lirë dhe tubimeve paqësore, siguria publike mbetet prioriteti i tyre kryesor.

Qendra Juridike për të Drejtat e Njeriut kritikoi këtë masë, duke kërkuar që policia të tërheqë kërkesën gjyqësore. "E drejta për të protestuar është një pjesë jetike e demokracisë dhe duhet mbrojtur", tha grupi.

Në një zhvillim të ngjashëm, Dutton bëri thirrje gjithashtu për dëbimin e ambasadorit të Iranit në Australi, Ahmad Sadeghi, pasi diplomati lavdëroi udhëheqësin e Hezbollahut në mediat sociale, duke e quajtur atë një "lider të jashtëzakonshëm". Dutton tha se Sadeghi duhet të shpallet persona non grata dhe të hiqet nga posti i tij.

Irani lëshoi ​​të hënën rreth 180 raketa në drejtim të Izraelit, duke thënë se ato erdhën si përgjigje ndaj vrasjes nga Tel Avivi të liderëve të Hezbollahut dhe grupit palestinez Hamas.

Aktivistja australiane për të drejtat e njeriut Sophie McNeill dënoi komentet e Duttonit, duke e akuzuar atë për keqinterpretim të lëvizjes propalestineze. Ajo tha se gjatë një viti që lamë pas, protestat paqësore në gjithë Australinë kanë kërkuar armëpushim të menjëhershëm dhe fundin e viktimave civile.

Më 7 tetor 2023, Izraeli nisi një ofensivë në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit, i cili, sipas Tel Avivit, vrau rreth 1.200 njerëz. Në vitin që nga ajo kohë, forcat izraelite kanë vrarë rreth 41.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur afro 97.000 të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit, krahas bllokadës së vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza./aa