Një grabitje është shënuar sot pasdite në zonën e ish Bllokut në Tiranë, ku dy persona ende të paidentifikuar i kanë vjedhur një shumë parash një shoferi taksie dhe më pas janë larguar. 

Taksti po transportonte çantën me shumën 200 mijë euro, - siç pretendon shoferi - nga një pikë e këmbimit valutor në një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut. Në një moment dy persona që kanë qenë duke lëvizur me motor dhe skafandra janë afruar, kanë thyer xhamin e dritares ku ishte çanta me para. Njëri prej tyre ka futur kokën, e ka marrë dhe janë larguar me shpejtësi.

Dy autorët kanë qenë me skafandër në kokë duke e bërë të vështirë identifikimin e tyre. Hetuesit dyshojnë se autorët kanë pasur dijeni të plotë të transportit të parave, pasi kanë thyer fiks xhamin kur paratë ishin në një çantë. 
Aktualisht, hetuesit e Komisariatit nr. 2 po marrin në pyetje pronarët e exchange dhe shoferin e taksisë për të zbardhur ngjarjen. Po kqyren dhe pamjet e kamerave të sigurisë për lëvizjet e motorit dhe lokalizimin e tij.
Hetuesit dyshojnë se ata kanë pasur dijeni të plotë të transportit të parave, gjë që nuk përjashton mundësinë e bashkëpunëtorëve shumë të afërt.

Më datë 04.10.2024, në zonën e Ish-Bllokut, dy persona ende të paidentifikuar i kanë vjedhur një shumë parash shtetasit N. B., shofer taksie, dhe më pas janë larguar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar./Shqiptarja