Moti i keq ka shkaktuar disa aksidente pasditen e sotme, në Fier e Lushnje si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë.
Si pasojë e lahështirës në rrugë, një aksident ka ndodhur pasditen e sotme, në autostradën Levan- Tepelenë, në vendin e quajtur Buzmadh në Fier.
Një furgon mallrash dhe një pasagjerësh janë përplasur më njëri-tjetrin dhe për pasojë janë lënduar 6 pasagjerë dhe një prej drejtuesve të mjeteve.
"Automjeti tip furgon me drejtues shtetasin A. P., është përplasur me një automjet tip furgon me drejtues shtetasin A. B. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar drejtuesi i automjetit shtetasi A. B., i cili u transportua në spital për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën", njoftoi policia.
Në vendngjarje ndodhet policia dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e dinamikës së këtij aksidenti.
Po ashtu, një tjetër aksident është shënuar në autostradën Rrogozhinë- Lushnje në afërsi të fshatit Golem.
Një mjet tip Porche Cayen ka përfunduar në kanalin përgjatë autostradës, ndërsa ka shkaktuar dhe përplasje me mjetin tip Toyota dhe një tjetër mjet tip Benz, ku si pasojë janë lënduar 3 persona./Shqiptarja