“Një axhendë digjitale për sigurinë e fëmijëve në Ballkanin Perëndimor” ishte tema e workshopit të parë rajonal që u organizua sot në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive në bashkëpunim me Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT).

Të pranishëm në këtë takim ishin drejtues të platformës TikTok dhe drejtuesit e rregullatorëve të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Kosovës, si dhe ekspertë dhe përfaqësues të tjerë.

AMA ka vendosur në muajin gusht një bashkëpunim me platformën TikTok, i cili deri tani ka rezultuar shumë i suksesshëm. Duke pasur si objektiv rregullimin e Platformave të Shpërndarjes së Videove, pjesë e detyrave që ligji i jep AMA-s, nga muaji gusht është krijuar një link i dedikuar në web-in zyrtar të AMA-s ku qytetarët mund të raportojnë përmbajtjet e publikuara në platformën TikTok që ata i gjykojnë të dëmshme.

Këto raportime, shqyrtohen nga ekipet e AMA-s dhe ato që gjenden në shkelje të ligjit raportohen në platformën TikTok. Deri tani numërohen me qindra përmbajtje të bllokuara për pirateri dhe për përmbajtje të dëmshme.

Duke pasur këtë eksperiencë të suksesshme, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka ftuar në tryezën e organizuar sot në Tiranë edhe drejtuesit e rregullatorëve nga vendet e rajonit.

Në panelin e workshop-it të parë rajonal, “Një axhendë digjitale për sigurinë e fëmijëve në Ballkanin Perëndimor”, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave në Kosovë, Jeton Mehmeti, drejtoresha ekzekutive e Autoritetit Kombëtar Audiovizual, Mali i Zi, Sunçica Bakiq, kryetari i Autoritetit Kombëtar Audiovizual, Maqedonia e Veriut, Zoran Trajçevski si dhe menaxheri i politikave publike me TikTok, Lukasz Gabler, diskutuan mbi mundësinë që këto përvoja të praktikohen edhe nga vende të tjera të Ballkanit.

Ky takim i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve është pjesë e nismës së përbashkët të TikTok me CRCA/ECPAT Shqipëri për të rritur ndërgjegjësimin për aftësimin digjital dhe sigurinë midis fëmijëve, grave dhe grupeve të tjera të pambrojtura, duke mbështetur shkëmbimin e informacionit dhe praktikave të mira midis profesionistëve, autoriteteve dhe OSHC-ve në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor.

“Janë hequr qindra video me përmbajtje të dëmshme nga kjo platformë, po ashtu qindra video sa i takon piraterisë. Për mua është një kënaqësi që do të kemi një drejtues të platformës në Tiranë dhe për këtë kam thirrur drejtuesit e rregullatorëve të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe të Kosovës të jenë prezent në këtë takim, pasi shpresoj që kjo punë që ka nisur AMA, të shtrihet edhe në këto vende”, u shpreh për mediet kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.

Sipas Krasniqit, “do të jetë shumë e domosdoshme që edhe këto vende të rajonit tonë të kenë të njëjtën qasje në këtë platformë”.

Ndërsa Lukasz Gabler, menaxher i politikave publike me TikTok vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin me AMA-n si nismëtare e këtij projekti.

“Jam shumë i lumtur qe po nisim këtë projekt i cili përqendrohet ne sigurinë digjitale. Siguria është prioritet për TikTok-un dhe kjo është arsyeja pse ne investojmë ne sigurinë e teknologjisë. Por dhe në çdo projekt të përgjithshëm për publikun, për mënyrën sesi të përdorin hapësirën online në mënyrë të sigurt. Ne jemi shume të lumtur për bashkëpunimet që kemi nisur me AMA-n si nismëtare e  këtij projekti”, tha Gabler.

Objektivi i përgjithshëm i Axhendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor të TikTok është të mbështesë zhvillimin e aftësive digjitale dhe të sigurisë në gjashtë vende: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

Nisma po mbështet përgatitjen dhe publikimin e materialeve informative të lehta për t’u kuptuar në gjuhët e vendeve, për të lehtësuar mësimin e individualizuar dhe të diferencuar, si dhe ndërtimin e programeve të ndërgjegjësimit dhe trajnimit për mësuesit, zyrtarët e mbrojtjes së fëmijëve apo ata të zbatimit të ligjit./ata