15 tetori do të shënjojë një hap të rëndësishëm për vendin tonë sa i takon rrugëtimit europian. Shqipëria do të hapë negociatat me Bashkimin Europian për grupkapitullin e parë. Takimi do të jetë në nivel ministror në Luksemburg, ndërsa po në këtë datë mbahet edhe konferenca e dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e cilësoi sot në një postim në rrjetet sociale, një moment vendimtar të procesit të integrimit të Shqipërisë.
Ai tha se, Ministria e Drejtësisë si institucioni kyç për Kapitullin 23 (Shteti i së Drejtës, Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) shpreh angazhimin për udhëheqjen me përgjegjësi të procesit.
“Në këtë moment vendimtar të procesit të integrimit në prag të zhvillimit të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, Ministria e Drejtësisë si institucioni kyç për Kapitullin 23 (Shteti i së Drejtës, Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kriteri Politik për Funksionimin e Institucioneve Demokratike shpreh krenarinë dhe angazhimin për udhëheqjen me përgjegjësi të proceseve në vazhdimësi”, shkroi Manja./ata