Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik.

Në mbledhjen e zgjeruar me grupin parlamentar dhe kabinetin qeverisës, Kryeministri Rama u shpreh se “nuk e kemi mundur korrupsionin, por vetëm jemi futur dhe jemi në mes të një lufte të vërtetë reale të stërngatërruar dhe të stërmundimshme me korrupsionin”.

“Ka një fakt shumë kuptimplotë, pikërisht sepse e kemi me të vërtetë jo me gjasme këtë luftë, ne nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj. Jo vetëm i kemi hapur rrugë krijimit të një gryke zjarri të re të SPAK dhe BKH-së por edhe ia kemi hequr vetes me vullnet të pagjendur më parë çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe goditjeve të asaj gryke zjarri. Le të thonë ç’të dojë kushdo që nuk do ta pranojë por sot drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “me forcën e shumicës sonë qeverisjes i kemi hapur rrugë furnizimit special me municion të asaj gryke zjarri”.

“I kemi vendosur një Kushtetutë dhe hapësirë ligjore të qepur enkas për këtë luftë, por edhe një buxhet pagash që si askund në Europë është mbi hierarkinë e pagave të të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar. Drejtuesit e organeve të drejtësisë qëndrojnë në majë të hierarkisë më të lartë të pagave, atij të Presidentit”, u shpreh Rama.

Për kryeministrin, “vetë fakti që sot prokurorët dhe gjykatësit janë më të paguarit, përbën një anomali absolute që e kemi krijuar me vetëdije të plotë për fuqizimin e përpjekjes antikorrupsion të shtetit shqiptar me një armë të re ofensive që Shqipëria nuk e kishte më parë”.

“E vërteta është se as korrupsioni sot nuk është mundur ende, as forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar ende imunitetin nga korrupsioni. Edhe pse kemi pastruar jo pak nga vatrat kancerogjene ka shumë akoma për të pastruar edhe brenda partisë sonë mbetet shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit”, shtoi Rama.

Këtu, sipas tij, nuk bën përjashtim as pushteti ekzekutiv, dikasteret qendrore, bashkitë dhe ndërmarrjet e tyre, por edh agjencitë e tjera të pavarura, partitë politike, mediet e biznesi dhe vetë pushteti gjyqësor që janë lehtësisht të arritshme nga korrupsioni.

“Fushëpamja e kësaj lufte i ngjan sot fushës së një lufte të vërtetë që vazhdon. Armiku ka ende forcë të konsiderueshme për të plagosur dhe vrarë, por ka edhe një të vërtetë të pamohueshme. Nëse deri dje era ishte në favorin e armikut, sot era është kthyer në favorin e shtetit që ka rimarrë protagonizmin”, shtoi Rama.

Për kryeministrin Rama, lufta kundër korrupsionit është një luftë përgjatë gjithë vijës së frontit me një armik që sfidon Shqipërinë frontalisht./ata