Pas 8 ditësh është mbyllur në Vlorë festivali i shahut, që kishte në axhëndë gara kombëtare dhe mbarëkombëtare. Risia ishte kampionati ekipor për vajza që u fitua nga Teuta, ndërsa për meshkuj pas 26 vitesh në fron u kthye Partizani. Në disiplinat Blitz dhe Rapid, dy gara mbarëkombëtare, fitues u shpallën Nderim Saraçi dhe Franc Ashiku.

“Kampionati ekipor i vazjave është i pari i zhvilluar pas 33 viteve në Shqipëri. Aktualisht kemi një grup vajzash të vogla të cilat janë shumë të talentuara dhe do arrijnë shumë lart,”-u shpreh Erald Dervishi, presidenti i federatës së shahut.

Presidenti i nderit të federatës së shahut Eduart Shalsi dhe drejtoresha e klubit shumë sportësh Elona Hasanaj, thanë se Vlora ia doli më së miri të organizonte këtë aktivitet.

“Vitet e fundit shahu ka marrë një iniciativë akoma më të madhe. Kemi aktivizuar vitet e fundit evente kombëtare dhe botërore që na kanë inkurajuar për të bërë akoma më shumë,”-tha Eduart Shalsi, president nderi i shahut.

“Këtë vit Vlora ka qenë qyteti Evropian i sportit dhe të vinte ky kampionat të zhvillohej në pallatin e sportit ka qenë shumë e rëndësishme,”-u shpreh Elona Hasanaj, drejtoreshë e klubit shumësportësh Flamurtari.

Në fund sportistët më të mirë të aktivitetit morën edhe vlerësimet, ndërsa kishte edhe një fond shpërblimesh./Shqiptarja