Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha mblodhi sot në një takim të rëndësishëm Këshillin Teknik të përbërë nga ekspertë të jashtëm të fushës hidrike.

Gjatë takimit nisur edhe nga situata e krijuar në Vlorë nga përmbytjet e shkaktuara javën e kaluar u diskutua për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme dhe asaj nëntokësore.

Në mbledhjen e Këshillit Teknik ishte i pranishëm edhe prefekti i qarkut Vlorë, Kristaq Kiço, i cili në një prononcim për ATSH-në tha se “në takim biseduam për masat që duhen marrë pas situatës së shkaktuar nga përmbytjet në Vlorë”.

“Konkretisht u diskutua për masat që duhen marrë lidhur me pastrimin e kanaleve dhe më i rëndësishmi ishte kanali i ujërave të larta, por edhe masat që duhen marrë për ndërtimet pa leje që janë bërë mbi kanale dhe kolektorë gjatë viteve të kaluara”, tha Kiço.

Prefekti Kiço informoi se “u vendos që të ketë një grup ekspertësh që të diskutohet edhe si të digjitalizohet i gjithë sistemi nëntokësor i ujërave të bardha me qëllim që të shikohet edhe ndërhyrja emergjente në lidhje me këtë”.

“Nga specialistët u paraqitën propozime konkrete dhe besoj që kjo do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme që të merren masa të menjëhershme për mospërsëritjen e fenomeneve të tilla, pasi jemi para stinës së dimrit dhe nga parashikimet e sinoptikanëve parashikohet të jetë dimër i vështirë me reshje të shumta”, tha Kiço.

Ndërkohë po ditën e sotme kryebashkiaku Dredha vizitoi disa prej bizneseve të qytetit për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga përmbytjet./ata