Mbi 4000 studentë nisën sot vitin e ri akademik në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

Rektorja e këtij universiteti,  Prof. Dr. Aurela Saliaj tha se ky është një moment i veçantë dhe i rëndësishëm për të gjithë, pasi shënon nisjen e një periudhe të re përkushtimi, sfidash dhe mundësish.

Ajo iu drejtua të rinjve duke theksuar se viti i ri akademik përbën për ta mundësi për të ndërtuar të ardhmen, për të thelluar njohuritë dhe zhvilluar aftësitë që do t’iu shërbejnë gjatë gjithë jetës.

“Për ju studentë që keni kaluar disa vite këtu, ky është një moment për të reflektuar mbi arritjet tuaja dhe për të planifikuar hapat e ardhshëm. Për profesorët, stafin akademik dhe ndihmës-akademik, falënderim për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm në formimin dhe mbështetjen e studentëve”, theksoi Salaj.

Rektorja Salaj u shpreh se “kontributi juaj është i paçmuar dhe ndikimi juaj në formimin e të ardhmes së komunitetit tonë është i jashtëzakonshëm”.

Në vit të parë në bachelor në Universitetin “Ismail Qemali” janë regjistruar 749 studentë, ndërsa në master 310 studentë./ata