Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, ka thënë se ekipi kosovar duhet t’i fitojë dy ndeshjet e ardhshme për ta fituar grupin, në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Kombeve.
Përfaqësuesja e Kosovës më 12 tetor luan kundër Lituanisë si mysafire, ndërsa më 15 tetor, pret në "Fadil Vokrri" në Prishtinë ekipin kombëtar të Administratës Greke të Qipros Jugore
Foda tha se në të dyja ndeshjet synohet fitorja, për të ecur përpara.
"Nëse dëshirojmë ta fitojmë grupin ne duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Fillimisht duhet të kemi para vetes disa stërvitje dhe gjatë javës do të shohim si do të veprojmë kundër Qipros dhe me sa sulmues do të luajmë. Por, nuk ka rëndësi sa sulmues kemi në sulm, një apo tre, por e rëndësishme është ta mbajmë sa më shumë topin dhe bashkërisht ta fitojmë ndeshjen dhe të arrijmë sukses", ka thënë Foda.
Kosova do të jetë me disa mungesa në formacion. Pjesë e këtyre dy ndeshjeve nuk do të jetë sulmuesi i njohur Vedat Muriqi, për shkak të lëndimit.
Foda tha se, megjithëkëtë, Kosova ka alternativa për sulmues tjerë.
"Vedati është për ekipin tonë një lojtar shumë i rëndësishëm, por, kemi mjaftueshëm alternativa, siç është Rashica, Asllani dhe Rrahmani, pra, për momentin kemi disa alternativa të cilat mund ta zëvendësojnë Muriqin", theksoi Foda.
Trajneri i Kosovës shprehu respekt për kundërshtarin e ardhshëm, Lituaninë, duke thënë se ajo ka "cilësi të mira dhe e ka treguar këtë në ndeshjen kundër Rumanisë".
"Dardanët" nisin sot përgatitjet për këto dy ndeshje, me stërvitjen e parë që zhvillohet në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në Hajvali./aa