Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në Tivat të Malit të Zi, ku po marrin pjesë në takimin e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në takim është shprehur kënaqësia për dialogun aktual politik mes dy vendeve, si dhe për përfshirjen dypalëshe në iniciativa të ndryshme rajonale dhe shumëpalëshe që ndihmon në arritjen e qëllimit të përbashkët: Forcimin e lidhjeve rajonale, duke ndërtuar një të ardhme të begatë për qytetarët dhe duke avancuar vizionin e një rajoni të ndërlidhur.

"Presidentja Siljanovska Davkova e përgëzoi presidentin shqiptar për hapjen e suksesshme të Kapitullit të parë në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe vlerësoi se kjo ishte një arritje e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin dhe se progresi i arritur nga secili vend-kandidat nga Ballkani Perëndimor ka ndikim pozitiv në dinamikën e përbashkët rajonale", thuhet në njoftim.

Në këtë kontekst, presidentja Siljanovska Davkova theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar në rrugën e saj drejt BE-së dhe vazhdon të zbatojë reformat e nevojshme, "në të njëjtën kohë duke punuar në mënyrë aktive me partnerët tanë të BE-së për të siguruar një marrëveshje të qëndrueshme dhe të parashikueshme në mënyrë që ta çojë procesin përpara".

Bashkëbiseduesit theksuan edhe bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të NATO-s, ku të dyja vendet rregullisht koordinohen dhe veprojnë së bashku për çështjet me interes të përbashkët, si dhe theksuan se partneriteti në NATO është aspekt kyç i sigurisë së përbashkët.

Në takim u diskutua edhe për të drejtat e pakicave në të dyja vendet./aa