Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë mbajtur takim me kryetarët e komunave për koordinim ndërinstitucional.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në këtë tubim ku u diskutuan ndër tjerash edhe Strategjia Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacak; ndërlidhja e qytetarëve me adresë zyrtare dhe Kontrata Kolektive, tha se situata gjatë viteve të fundit, ka ndryshuar në mënyrë pozitive.

Sipas tij, këtë vjeshtë Kosova ka 425 mijë të punësuar, ndërkaq në pranverën e vitit 2021 ishin 350 mijë të punësuar, ndërsa Bruto Produkti Vendor, është rritur me 33 për qind, derisa buxheti i shtetit është rritur me 35 për qind.

"Janë shpërndarë rreth 1,3 miliard euro tek qytetarët dhe bizneset, përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja. Gjithashtu kemi edhe një rritje të pagës minimale, dy herë, në 264 euro fillimisht, e më pastaj edhe në 350 euro", theksoi Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti tha se Qeveria është e gatshme që të bashkëfinancojë projekte bazuar në nevojat reale duke siguruar qytetarët nga sulmet e qenve endacak, të cilat janë bërë pothuajse të përditshme.

 

- "Llogaritet se jetojnë përafërsisht mbi 4 mijë qen endacak në Prishtinë"

Sa i përket problemit me qenë endacak në Kosovë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se kontrolli i qenve në përgjithësi nuk mund të shikohet vetëm si një projekt afatshkurtër, përderisa qytetarët mbajnë kafshë dhe këto kafshë duhet të kontrollohen dhe menaxhohen.

Ai tha se Strategjia Kombëtare për trajtimin e qenve endacak është hartuar në vitin 2022 dhe bartës kryesorë të saj janë komunat. Kjo strategji është përpiluar duke u fokusuar tek zvogëlimi i qëndrueshëm dhe human i numrit të qenve endacak si dhe në mbrojtjen e mirëqenies së qenve endacak.

"Duhet të krijohet një sistem i mirëfilltë komunal për mbajtjen e përgjegjësisë së kafshëve dhe shoqëruesve të tyre", tha Krasniqi.

Problemi me qentë endacak në Kosovë është i pranishëm prej vitesh. Vetëm në kryeqytet, llogaritet se jetojnë përafërsisht mbi 4 mijë qen endacak.

Edhe sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare të zhvilluara me qytetarë në Kosovë gjatë vitit 2024, qentë endacak radhiten në një prej problemeve kryesore në vend./aa