Strukturat italiane për emigrantët në Shqipëri mund t’i nënshtrohen infiltrimit, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, si botës së krimit vendas ashtu edhe asaj italiane.
Kështu shkruan Vincenzo Musacchio, avokat, ekspert i fushës dhe studiues i strategjive për të luftuar krimin e organizuar në Itali.
Në një opinion ai thekson se kontratat do të jenë në rrezik më të madh.
Prandaj – sugjeron ai – vëmendja maksimale e gjyqësorit shqiptar duhet të jetë në sektorët ku krimi mund të zërë rrënjë: ndërtimi, transporti, qiratë, puna, hoteleria, shërbimet e sigurisë.
Për të, ndërtimi i dy qendrave për menaxhimin e emigrantëve të shpëtuar në det, përkatësisht në Shëngjin dhe Gjadër, sigurisht që do të jetë i rëndësishëm nga pikëpamja e përfitimeve ekonomike për dy organizatat kriminale.
“Ata që nuk e shohin këtë mundësi, për grupet kriminale shqiptare dhe italiane, dinë pak ose aspak për ‘mafiet e reja’ dhe metodat e tyre aktuale të funksionimit”, shkruan Musacchio.
Ai ravijëzon që Shqipëria dhe Italia t’i marrin parasysh këto rrethana specifike.
Më tej ai sjell në vëmendje se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, flet për mafien shqiptare si një problem margjinal dhe nën kontroll.
“Fatkeqësisht për të dhe për popullin shqiptar, me të cilin më lidh fort lidhjet e gjakut, mafia shqiptare tashmë ka marrë peshë të madhe në skenën kriminale ndërkombëtare. Është ndër liderët kryesorë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës dhe bën pjesë në zonat e tranzitit të fentanilit në Evropë”.
Eksperti tregon se mafia shqiptare operon në mënyrë aktive në Holandë, Gjermani, Belgjikë, Angli dhe Itali, ku trafikon sasi të mëdha të lëndëve narkotike.
“Ajo ka një rol jo margjinal në trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve. Lidhjet e krijuara prej disa kohësh me mafien puliane dhe me ‘Ndranghetan’ e kanë bërë mafien shqiptare vendimtare në këtë lloj trafiku në Adriatik”.
Më tej Musacchio shkruan se, nga droga, armët dhe qeniet njerëzore mbërrijnë në Itali nga brigjet shqiptare (e më pas në Evropë) duke kaluar detyrimisht përmes korridorit të Adriatikut.
Pra, lidhja mes fenomenit migrator dhe mafies shqiptare dhe italiane, pra, ekziston dhe është tashmë pikënisja e një aleance që lejon dy organizatat kriminale të kenë mundësi të bëjnë biznes fitimprurës.
“Protokolli Meloni-Rama, nëse Italia dhe Shqipëria nuk miratojnë kundërmasat e duhura, mund të japë kontribut (me keqdashje apo neglizhencë, këtë do ta shohim me kalimin e kohës) për bizneset dhe investimet e lidhura ngushtë me flukset migratore në Adriatik”.
Ai thotë se përvoja e tij tridhjetëvjeçare në këtë temë më sugjeron që sot ekziston ky rrezik.
Në fund eksperti paralajmëron se as Italia dhe as Shqipëria nuk mund të lejojnë ta rrezikojnë atë, sidomos në këtë kontekst historik ku mafia shqiptare ka hyrë plotësisht në kategorinë e të ashtuquajturave “mafie të reja”./Tema