Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë ka organizuar një seancë dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në lidhje me masat e marra për fillimin e vitit të ri shkollor 2024-2025 në sistemin e arsimit parauniversitar.

Gjatë fjalës së saj para deputetëve, anëtarë të komisionit, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, u fokusua në çështjet e infrastrukturës në shkolla, mbështetjen për nxënësit me nevoja të veçanta, investimet për procesin e digjitalizimit dhe çështje të tjera.

Guga tha se ministria që ajo përfaqëson ka prioritet sigurimin e një arsimi të barabartë dhe gjithëpërfshirës.

"Tashmë janë krijuar kushte dhe standarde. Sidomos shkollat e reja kanë standarde të krahasueshme dhe me vende të tjera në rajon, pse jo edhe në Evropë, për kushtet që ofrojnë shkollat në gjitha drejtimet e sigurimit të cilësisë, jo vetëm në përmbajtjen mësimore, por dhe të sigurimit të mirëqenies së nxënësve", tha ajo.

Guga theksoi se ketë vit janë shtuar mësuesit ndihmës që janë në mbështetje të nxënësve me nevoja të veçanta apo aftësi të kufizuara.

"Në lidhje me mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta, Ministria e Arsimit, së bashku me qeverisjen vendore ka siguruar bursa për 3.500 nxënës", u shpreh ajo.

Guga theksoi se viti i ri shkollor ka filluar me 25 shkolla të reja, sipas saj me standarde shumë të larta.

Në lidhje me investimet për procesin e digjitalizimit, Guga ka veçuar laboratorët smart në shkolla, që sipas saj është një projekt i nisur.

Guna tha ndër të tjera se që vitin e kaluar shkollor kanë filluar programin kombëtar të trajnimit të mësuesve.

Viti i ri shkollor në institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri filloi më 9 shtator./aa