Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar me homologen e tij sllovene, Natasha Pirc Musar.

Takimi Begaj-Musar është mbajtur në Mal të Zi, në kuadër të punimeve të Samitit të Procesit të Bërdo-Brionit.

Në lidhje me takimin, Begaj ka shkruar në rrjetet sociale se angazhimi për integrimin në Bashkimin Evropian (BE) mbetet i palëkundur.

"Mirënjohës për mbështetjen e paçmuar dhe asistencën teknike të Sllovenisë në rrugëtimin e Shqipërisë në BE", ka shkruar Begaj.

Ndërkohë, në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Begaj është takuar me përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik shqiptar në Mal të Zi.

Presidenti Begaj, po qëndron për vizitë në Malin e Zi, për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bërdo-Brionit, takim që ka në fokus rëndësinë e anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian./aa