Drejtues dhe ekspertë të doganave italiane, sllovene, kroate dhe malazeze janë mbledhur sot në Durrës, në kuadër të projektit Adriacustoms, që synon bashkëpunimin mes administratave doganore të vendeve që lagen nga deti Adriatik.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli gjatë fjalës së mbajtur në takimin e zhvilluar në Portin e Durrësit u shpreh se shkëmbimi i eksperiencave më të mira mes administratave doganore janë çelësi për suksesin e përbashkët në luftën kundër kontrabandës, mallrave të falsifikuara dhe trafiqeve të paligjshme.
Ai vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin me Administratën e Doganave dhe Monopoleve në Itali dhe Guardia di Finanza, me të cilat Dogana Shqiptare ka nënshkruar këtë vit një marrëveshje trilaterale.
Projekti Adriacustoms, i financuar dhe mbështetur nga OLAF dhe Agjencia Italiane e Doganave dhe Monopoleve, përfshin shkëmbim eksperiencash mes administratave doganore në Portin e Durrësit në Shqipëri, Portin e Barit, Ankonës dhe Triestes në Itali dhe Portin e Bar në Mal të Zi./ata