Ushtarët izraelitë arrestuan të paktën 22 palestinezë, në bastisjet që kryen në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Në një deklaratë të përbashkët nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë thuhet se ushtarët izraelitë vazhdojnë bastisjet në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Gjatë bastisjeve në qytetet El Halil, Ramallah, Betlehem, Kuds si dhe në kampin e refugjatëve Al-Fara në qytetin Tubas të Bregut Perëndimor, ushtarët izraelitë arrestuan 22 palestinezë, përfshirë dy fëmijë, një gazetar dhe ish të burgosur.
Në deklaratë tërhiqet vëmendja se ushtarët izraelitë kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut kundër palestinezëve gjatë bastisjeve dhe se shtëpitë e palestinezëve u shkatërruan dhe njerëzit e arrestuar dhe familjet e tyre u kërcënuan.
Numri i palestinezëve të arrestuar në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli nisi sulmet në Rripin e Gazës u rrit në 11.200.
Që nga 7 tetori, kur Izraeli filloi sulmet në Rripin e Gazës ka patur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.
Theksohet se 748 palestinezë, përfshirë 160 fëmijë janë vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite dhe izraelitëve që kanë uzurpuar tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, që nga 7 tetori 2023./aa