Udhëzimi i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në diasporë”, i ndryshuar, është botuar në Fletoren Zyrtare.
Udhëzimi përcakton procedurën e përzgjedhjes së arsimtarëve të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, autorizimin dhe lidhjen e kontratës individuale me arsimtarin, si dhe të monitorimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë.
Sipas këtij udhëzimi, arsimtarët që japin mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë përzgjidhen sipas një procedure të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Hapja e thirrjes për arsimtarë për mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në shtetin e përcaktuar realizohet nga ministria përgjegjëse për punët e jashtme dhe diasporën.
Procesi i aplikimit zhvillohet dhe monitorohet përmes faqes zyrtare të hapur nga misioni diplomatik i shtetit të përcaktuar.
Ndërkohë që thirrja për aplikime është e përvitshme.
Kriteret dhe dokumentet që dorëzojnë kandidatët për arsimtarë përcaktohen bazuar në vendimin Këshillit të Ministrave.
Me përfundimin e afateve të aplikimit, dokumentacioni i aplikimeve përcillet nga misioni diplomatik në Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë të Arsimit Parauniversitar (ASCAP) për t’u vlerësuar.
Më pas lista me vlerësimin e kandidaturave i përcillet ministrisë përgjegjëse për arsimin, e cila e përcjell te ministria përgjegjëse për punët e jashtme dhe diasporën.
Udhëzimi përcakton se, arsimtarët e përzgjedhur zhvillojnë mësimin në gjuhën shqipe bazuar në kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë, miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës.
Lidhja e kontratës individuale me arsimtarin në diasporë realizohet nga kreu i misionit diplomatik i akredituar në vendin ku ndodhet diaspora dhe ku është hapur thirrja. Thirrja për vitin shkollor 2024–2025 dhe në vijim bëhet për Greqinë. Përcaktimi i vendeve të tjera bëhet me miratimin me shkrim të ministrave.
Sipas udhëzimit, kontrata ndërmjet palëve do të rregullohet sipas parashikimeve të Kodit të Punës. Pagesa e arsimtarit përllogaritet bazuar në numrin e orëve mësimore mujore, të përcaktuara në kontratën e lidhur mes palëve, referuar pagës së punonjësit të personelit administrativo-teknik vendës në misionin diplomatik ku ndodhet diaspora.
Ndërkohë monitorimi i procesit mësimor do të realizohet nga strukturat e misionit diplomatik të akredituar në vendin ku ndodhet diaspora.
“Monitorimi i mësimit të gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare në diasporë realizohet përmes vëzhgimeve, vlerësimit të dokumentacionit (plane mësimore dhe regjistra), si dhe pyetësorëve për nxënësit dhe për prindërit, të cilët realizohen online dhe në bashkëpunim me organizata jofitimprurëse vendëse, të cilat mbajnë kontakte me misionin diplomatik.
Misioni diplomatik bazuar në monitorimet mbi ecurinë e punës së arsimtarëve të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, harton çdo vit mësimor një relacion përmbledhës të monitorimit dhe e paraqet atë në ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme dhe diasporën dhe kjo e fundit ia përcjellë ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe sportin”, thuhet në udhëzimin e botuar në Fletoren Zyrtare./ata