Indeksi Global i Urisë për vitin 2024 e rendit Shqipërinë në vend të 42 mes 127 vendeve të marra në analizë, ndërkohë që vlerësohet me 7.9 pikë. Gjatë vitit 2023, Shqipëria renditej në vend të 30-të dhe vlerësohej me 6.1 pikë.
Rritja në pikëzim tregon se jemi afruar me gati dy pikë pranë shteteve me nivel më të lartë të urisë. Indeksi Global i Urisë është një mjet gjithëpërfshirës, i cili ndjek dhe mat urinë në nivel global, rajonal dhe kombëtar.
Ky raport merr në analizë vetëm vendet në zhvillim dhe mat urinë bazuar në vlerat e katër përbërësve tregues që janë shkalla e vdekshmërisë nën pesë vjeç, prevalenca e humbjes së fëmijës, pëhapja e fëmijëve të pazhvilluar, dhe përqindja e të pangopurve.
Nëse do ta krahasonim Shqipërinë me vendet e rajonit, të dhënat e “Indeksit Global të Urisë” për vitin 2024 tregojnë se kemi pozicionimin më negativ. Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia bëjnë pjesë në 22 vendet e para me nivel të ulët të urisë, duke vlerësuar me më pak pikë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, raporti rendit vendet të cilat vuajnë nga një situatë ekstremisht alarmante sa i përket nivelit të urisë. Vende si Jemeni, Madagaskari, Somalia janë shtetet e fundit në renditje të cilat kanë nivelin më të lartë të urisë.
Mes të tjerash raporti thekson se “Indeksi Global i Urisë” në edicionin e këtij viti na vendos përpara një realiteti të zymtë. Rezultatet për botën pasqyrojnë mbivendosje të krizave globale dhe lokale duke përfshirë pasojat e konflikteve të dhunshme apo edhe fatkeqësitë natyrore në mbarë botën.
Këto ngjarje kanë shtyrë disa vende në kriza ushqimore, ndërsa vende të tjera janë përgjigjur me elasticitet. Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë goditur veçanërisht rëndë në krahasim me vendet me të ardhura të larta./Scan