Në periudhën 8 mujore, pranë komisionit të Prokurimeve Publike janë paraqitur në total 748 ankesa nga operatorët ekonomikë. Sipas të dhënave të Buletinit Mujor, në muajin gusht janë paraqitur 113 ankesa. Por për çfarë janë ankuar më shumë?
Nisur nga ankesat sipas fazës së procesit për të cilën është paraqitur ankimi, 37 janë për Dokumentet Standarde të Tenderit, 76 për Vlerësim ofertash. Ndërsa, për ankesat sipas llojit të kontratës, 60 janë për Mall, 43 për shërbime, 10 për punë publike.
Si edhe në muajt para ardhës, qarku i Tiranës kryeson përsa i përket numrit më të lartë të ankesave, ku për muajin gusht janë paraqitur 76 ankesa.
Por si paraqitet situata financiare?
Sipas Buletinit, janë arkëtuar 22.6 milionë lekë, si tarifa financiare të arkëtuara si garanci për procedura prokurimi, ndërsa rreth 10 milionë lekë janë tarifa financiare të kthyera ndaj Operatorëve Ekonomikë në përfundim të shqyrtimit të procedurave të prokurimit. Në buxhetin e shtetit do të arkëtohen rreth 6.3 milionë lekë tarifa financiare në përfundim të shqyrtimit të procedurave të prokurimit.
Ndërkohë qeveria shqiptare ka ndryshuar afatet e ankimimit për të gjithë operatorët ekonomikë të cilët marrin pjesë në procedura prokurimi. Tashmë, subjektet do të mund të ankohen pranë KPP brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit nga institucioni shtetëror për procedurat e prokurimit nën kufirin e lartë monetar, dhe brenda 10 ditëve për procedurat e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar. Ankesat deri më tani mund të bëheshin brenda 5 ditëve./Scan