“Aplikojmë sepse nuk kemi çfarë të humbasim” apo “të largohemi drejt vendit të mundësive” janë shprehje që e përshkruajnë përvojën e shumë shqiptarëve në kohën e hapjes së aplikimeve për lotarinë amerikane, e cila fillon çdo fillim të muajit tetor. Kjo traditë e aplikimeve për një mundësi të re në Shtetet e Bashkuara ka qenë një rrugë e dëshpëruar, por e shpresuar për shumë individë që kërkojnë një jetë më të mirë.

Të dhënat zyrtare të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara tregojnë një rritje të vazhdueshme të raportit të përfituesve në krahasim me aplikuesit gjatë periudhës 2019-2021. Në vitin 2019, mundësitë për një shqiptar që aplikoi për lotarinë ishin vetëm 0.75%.

Megjithatë, gjatë pandemisë, ky tregues shënoi një rritje, duke arritur në rreth 1%. Kjo do të thotë se 1 në 100 aplikues kishte mundësinë për të realizuar ëndrrën e tij për një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2021, numri i aplikuesve ishte më i ulët se dy vitet e mëparshme, por pavarësisht kësaj, numri i individëve që përfituan arriti në rreth 4,000, duke rritur raportin në 1.64%. Kjo tregon se, edhe në kohë të pasigurta, shqiptarët vazhdojnë të shpresojnë dhe të luftojnë për mundësi më të mira.

Megjithatë, në mungesë të të dhënave për numrin e aplikuesve gjatë periudhës 2022-2023, Departamenti i Shtetit ka publikuar vetëm numrin e përfituesve, që ka shënuar një tkurrje. Nga rreth 2,800 përfitues në vitin 2022, numri ra në 2,000 në vitin e kaluar, duke përfaqësuar një rënie prej 29%. Kjo situatë e re është një pasqyrë e sfidave të vazhdueshme që shqiptarët përballen në përpjekjet e tyre për të realizuar ëndrrat e tyre në një vend të mundësive./Scan