Këshilli i Lartë i Prokurorisë në seancën maratonë të 8 tetorit vendosi me shumicë votash hartimin e një projektraporti të ri për prokuroret Elsa Miha, Gëzim Çopa dhe Blerta Hamza, duke reflektuar ndryshimet e propozuara mbi procedurën e pikëzimit dhe metodologjinë e rivlerësimit.
Sipas njoftimit të KLP-së, raporti i vlerësimit etik dhe profesional për prokuroren Elfrida Bregova u miratua me ndryshime.
Vendimi u mor pas shumë diskutimeve në lidhje me miratimin e 4 raporteve të vlerësimit etik dhe profesional. “Ky është një moment vendimtar për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili pas një bashkëpunimi të gjatë me programet e asistencës ndërkombëtare, nis siparin e raporteve të vlerësimit”- njoftoi KLP.
KLP bën me dije se diskutime pati edhe për verifikimin e pasurisë dhe figurës të kandidatëve për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës.
“Komisioni i Vlerësimit të Performancës Etike dhe Profesionale, u shpreh se në kuadër të kësaj procedure duhen bërë verifikime shtesë, ndaj propozoi tërheqjen e projektakteve, për të vijuar me rishqyrtimin e tyre. Këshilli miratoi me shumicë votash kërkesën e komisionit duke vendosur për tërheqjen e tyre nga rendi i ditës”- thuhet në njoftimin e KLP.
Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, u miratua unanimisht caktimi i Petrit Çanon, në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Të pranishëm në këtë seancë ishin anëtarët e Këshillit, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, programet e asistencës OPDAT dhe EU4JUSTICE dhe media./ata