Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim  i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj 4 punonjësve të Komisariatit të Policisë Peqin të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Sipas njoftimit të AMP-së, personat e ndaluar janë komisar Sh.Xh., me detyrë shef seksioni i hetimit të krimeve në volum; n/komisar S.D., me detyrë specialist i hetimit të krimeve; inspektor A.K, me detyrë ndihmës specialist i hetimit të krimeve dhe inspektor A.K., me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas hetimeve të kryera me metoda speciale, ku ka dyshime të arsyeshme bazuar mbi prova për përfshirjen e punonjësve të policisë në shpërdorim detyre, duke lejuar me veprime dhe mosveprime konkrete zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të kultivimit të bimëve narkotike të dy rasteve në banesën e shtetasit R.B.

Në datën 13 shtator ky shtetas është arrestuar nga DVP Elbasan për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, pasi gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur bimë të llojit kanabis sativa.

Hetimet vazhdojnë për përfshirjen dhe të punonjësve të tjerë në këtë aktivitet kriminal.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit./ata