Presidenti Bajram Begaj ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për Inspektimin”.

Presidenti argumenton se 57 nenet e para të këtij ligji lidhen me ndryshime konceptuale, ndërsa nenet e tjera kanë të bëjnë me ndryshimin e 68 ligjeve të tjera. Sipas Presidentit Begaj, “ndryshimi i 68 ligjeve të tjera nuk i është nënshtruar procedurës së rregullt që parashikon Rregullorja e Kuvendit”.

“Për këto 68 ligje nuk ka nismë ligjbërëse formale, nuk ka regjistrim të projektligjeve në programin e punës së Kuvendit, nuk ka konsultim publik, nuk ka procedurë të veçantë shqyrtimi, nuk ka mendim të shprehur nga ekzekutivi për secilin prej ligjeve, nuk ka analizë të kostos financiare dhe deklarim nga qeveria që pranon mbulimin e kostove financiare për secilin prej tyre si dhe nuk ka raporte të veçanta vlerësimi nga komisionet përgjegjëse të Kuvendit sipas fushave që mbulojnë 68 ligjet e sipërpërmendura”, thuhet në dekret.

Presidenti nënvizon se bashkimi mekanik në trupën e një ligji organik i disa ndryshimeve të ligjeve të fushave të tjera krijon paqartësi.

Projektligji “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” u miratua në Kuvend në 13 shtator 2024, me 74 vota pro dhe 24 vota kundër./ata