Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta doli sot në një konferencë për shtyp me gazetarët, ku preku disa tema: Nga projektligji “Për Kërkimin Shkencor” dhe kundërshtitë e partisë që ai drejton në drejtim të kësaj nisme, te shifrat e eksporteve, si një tregues i dobësisë së ekonomisë në vend, sipas tij.
“Meqënëse jemi tek eksportet, që janë treguesi më i mirë i dobësisë së ekonomisë së vendit tonë dhe i rreziqeve të mëdha për të ardhmen, përsëri duke iu referuar INSTAT, është e qartë se edhe të dhënat më të fundit tregojnë krizën e rënies të pandalshme të eksporteve në krahasim me vitin e kaluar. Rënia e lartë e eksporteve në 8-mujorin e vitit 2024 është treguesi më i qartë i tkurrjes ekonomike në sektorët e prodhimit të të mirave materiale. Rënia e eksporteve është gjithashtu prej dëmit që po i shkaktohet sipërmarrjes nga zhvlerësimi i qëllimshëm i euros kundrejt lekut”, tha Meta.
Sipas kreut të PL-së, “eksportet në 8-mujorin e vitit 2024 u realizuan në 255 miliardë lekë, kundrejt 300 miliardë lekëve që ishin një vit më parë, pra një rënie prej 15% të eksporteve për 8 muajt e këtij viti në raport me vitin e kaluar, që është një rënie e konsiderueshme”.
“Bilanci tregtar në 8-mujorin e vitit 2024 rezulton minus 340 miliardë lekë, kundrejt një bilanci negativ në minus 277 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023 dhe me një përkeqësim të bilancit në total në rreth 23%. Njëkohësisht, përqindja e mbulimit të importeve me eksportet është përkeqësuar në këtë 8-mujor, nga 52% që ishte vjet, në 43% aktualisht në vitin 2024 për të njëjtën periudhë”, u shpreh ai.
Për Metën, rënia e eksporteve nuk mund të kompensohet me përfitimet «e fryra» nga turizmi dhe as të mbulojë krizën që po kalon ekonomia e vendit si rezultat i politikave të papërgjegjshme të qeverisë kundrejt sipërmarrjes.
Partia e Lirisë përmes programit të saj synon që të garantojë rritje të eksporteve në masën mbi 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga vetëm 8% që është sot.
“Dhe për të arritur këtë gjë, pra Shqipërinë Fuqi Eksportuese, pa asnjë diskutim, investimi në Arsim dhe Kapitalin Njerëzor është vendimtar”, përfundon kreu i PL-së./ata