Kreu i agjencisë gjermane të inteligjencës (BfV), Thomas Haldenwang, ka paralajmëruar se Rusia ka shtuar operacionet e saj të sulmeve kibernetike, spiunazhit dhe ndikimit.
“Operacionet e spiunazhit dhe sabotimit rus po rriten, si në aspektin cilësor ashtu edhe në atë sasior. Ne po vëzhgojmë veprimet agresive nga shërbimet e inteligjencës ruse”, u tha Haldenwang ligjvënësve.
Haldenwang pretendoi se shërbimet ruse të inteligjencës ishin pas aktiviteteve të ndryshme sabotuese, duke përfshirë dërgimin e pakove që përmbanin mjete zjarrvënëse jo-konvencionale.
Duke folur në seancën parlamentare, shefja e shërbimit të kundërzbulimit ushtarak (MAD), Martina Rosenberg, tha se ka pasur një rritje shqetësuese të përpjekjeve për të spiunuar infrastrukturën kritike.
“Forcat e armatosura gjermane (Bundeswehr) janë fokusi këtu... qoftë për hetuar dërgesat gjermane të armëve në Ukrainë, projektet e trajnimit apo projektet e armatimit ose për të përcjellë një ndjenjë pasigurie përmes akteve të sabotimit”, tha Rosenberg.
Shefi i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë (BND), Bruno Kahl, nga ana e tij, tha se aktivitetet e spiunazhit të Rusisë kanë arritur nivelin e tyre më të lartë deri më tani.
“Kremlini e sheh si armik Perëndimin dhe si rrjedhojë Gjermaninë”, tha Kahl.
Ai po ashtu paralajmëroi se Rusia do të “testojë linjat e kuqe të Perëndimit” dhe mund të ketë aftësinë ushtarake për të sulmuar një vend perëndimor më së voni deri në vitin 2030./aa