Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se është e pamundur të zhvillohen negociata për reduktimin e armëve bërthamore në këtë periudhë.

Duke komentuar deklaratën e presidentit amerikan Joe Biden se ai është i gatshëm të zhvillojë negociata të pakushtëzuara me Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut për reduktimin e armëve bërthamore, Peskov tha "Kjo është e pamundur në një periudhë kur fuqitë bërthamore si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca janë të përfshirë drejtpërdrejt, direkt ose indirekt në luftën kundër Rusisë".

"Rusia mendon se negociata të tilla janë të nevojshme dhe se nuk duhet të ndërpriten. Por, çështjet lidhur me sigurinë duhet të trajtohen në tërësi duke u bazuar në situatën aktuale", tha Peskov duke shtuar se megjithatë ata vazhdojnë të ndërveprojnë me SHBA-në në fushën e hapësirës.

 

- "NATO po forcon infrastrukturën e saj ushtarake drejt kufijve rusë"

Lidhur me pretendimet se Rusia do të sulmojë vendet e NATO-s në të ardhmen, Peskov tha se Rusia garanton sigurinë e saj dhe ka potencialin e nevojshëm për ta bërë këtë.

"Rusia nuk ka avancuar kurrë drejt NATO-s me infrastrukturën e saj ushtarake. Bëhet fjalë për një proces të kundërt. Ne i dimë të gjitha fazat e zgjerimit të NATO-s dhe të gjitha hapat drejt forcimit të infrastrukturës së saj ushtarake drejt kufijve rusë. Dihet mirë se nga kush për kë paraqitet rrezik. Është absolutisht e gabuar, e palogjikshme dhe në kundërshtim me të gjithë rrjedhën e historisë të thuash se ato që përbëjnë rrezikun janë Forcat e Armatosura të Rusisë", tha Peskov.

Sa i përket "Steadfast Noon", stërvitjen vjetore bërthamore të NATO-s, Peskov tha: "Sigurisht stërvitje të tilla çojnë në përshkallëzim të situatës në kontekstin e luftës së nxehtë në Ukrainë".

 

- Kremlini hedh poshtë akuzat kundër Rusisë lidhur me Moldavinë

Lidhur me akuzat se Rusia ka ndërhyrë në fushatën e zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Moldavi më 20 tetor, Peskov deklaroi se "Ne absolutisht i hedhim poshtë akuzat për këtë çështje. Ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të vendeve të tjera".

Ai thekson se në Moldavi ka shumë qytetarë dhe parti politike që duan të krijojnë marrëdhënie të mira me Rusinë, por ndaj tyre është bërë presion./aa