Një person i armatosur u arrestua pranë lokacionit ku ish-presidenti Donald Trump mbajti një fjalim me mbështetësit e tij këtë fundjavë.
Siç kanë njoftuar autoritetet amerikane, personi ishte i armatosur me një pistoletë të mbushur, një armë gjahu dhe një karikator me kapacitet të lartë.
Zyra e Sherifit të Qarkut Riverside identifikoi njeriun që u arrestua të shtunën si Vem Miller, një 49-vjeçar banues në Las Vegas, Nevada. Miller u arrestua në një pikë kontrolli "pa incidente" dhe u mbajt në Qendrën e Paraburgimit John J. Benoit për posedim të një arme zjarri të mbushur dhe një karikator me kapacitet të lartë për pistoletën.
Policia tha se incidenti nuk ndikoi në sigurinë e ish-presidentit Trump, as sigurinë e pjesëmarrësve në tubim në vendin e ngjarjes në Coachella, California.
Sherifi i qarkut Riverside, Chad Bianco, i cili mori pjesë në mitingun e së shtunës me familjen e tij, u tha gazetarëve se Miller i përkiste lëvizjes anti-qeveritare të ekstremit të djathtë "Qytetari Sovran". Grupi i skajshëm mohon që ndonjë qeveri të ketë autoritet mbi ta pa pëlqimin e tyre të qartë.
Bianco pohoi se zëvendësit e Sherifit parandaluan një atentat të tretë ndaj ish-presidentit.
"Unë me të vërtetë besoj se ne parandaluam një tjetër atentat, dhe kjo ishte vetëm falë përpjekjeve tona për t'i mbajtur ata lloj njerëzish jashtë", tha Bianco, duke shtuar: "Ne e dimë se kemi parandaluar që diçka e keqe të ndodhë. Dhe është e parëndësishme se çfarë do të ishte ajo e keqe".
Ai nuk dha asnjë informacion për një motiv të mundshëm.
Pasaporta të shumta dhe patenta shoferi u gjetën në makinën e Millerit kur ai u ndalua në një pikë kontrolli pasi zyrtarët policorë identifikuan targa të pazakonta në makinën e tij që zakonisht lidhen me lëvizjen sovrane të qytetarëve. Një zyrtar policor "vuri re se pjesa e brendshme e automjetit ishte mjaft e rrëmujshme" pas ndalimit fillestar, tha Bianco.
Autoritetet thanë se municione si për pistoletën, ashtu edhe për armën e gjahut, u gjetën brenda makinës së zezë, e cila nuk ishte e regjistruar.
Miller që atëherë është liruar nga paraburgimi përpara gjyqit në gjykatën shtetërore për akuzat për armë zjarri. Bianco tha se çdo padi shtesë do t'u lihet autoriteteve federale.
Zyra e Prokurorit të SHBA-së, Shërbimi Sekret Amerikan dhe FBI-ja lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën ata thanë se ishin në dijeni të arrestimit të së shtunës dhe se "ndonëse asnjë arrest federal nuk është bërë në këtë moment, hetimi është në vazhdim".
Forcat e zbatimit të ligjit kanë rritur në mënyrë dramatike sigurinë në tubimet e Trump-it përpara zgjedhjeve të nëntorit, pasi ai u qëllua dhe u plagos lehtë teksa iu drejtua mbështetësve në Pensilvani në korrik. Një tentativë e dytë për jetën e tij ndodhi në shtator kur autoritetet kapën një person jashtë fushës së tij të golfit në West Palm Beach, Florida, për të cilin thanë se kishte kampuar jashtë objektit për 12 orë përpara se oficerët e Shërbimit Sekret ta gjenin atë me një pushkë të gjatë duke u futur nëpër një gardh në perimetrin e fushës./aa