Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, nga data 17 deri më 20 tetor, do të mbahet edicioni i 42-të i "Skopje Jazz Festival".

Në prag të festivalit, organizatorët mbajtën një konferencë për media ku informuan për konceptin, programin dhe të rejat e edicionit të sivjetmë më këtij festivali.

Drejtori i festivalit, Oliver Belopeta, theksoi se publikun e pret një festival i bukur 4-ditor i xhazit, duke shtuar se "numri më i madh i koncerteve janë ekskluzive dhe zhvillohen vetëm në Shkup".

Duke folur për programin, ai theksoi se koncepti bazohet në atë që festivali të mbetet ndër të paktat evenimente që kanë programin më kreativ në botë.

"Ky program vjen pas konceptimit të festivalit në vitet e fundit, i cili është vlerësuar si shumë i suksesshëm, që është të prezantojë më aktualen dhe që më e rëndësishmja, më kreativen e muzikës xhaz dhe të improvizuar", tha Belopetta.

Në mesin e shumë yjeve ndërkombëtare që do të performojnë në festival, ai veçoi këngëtaren e madhe amerikane, "këngëtaren më të mirë të xhazit në dekadën e fundit sipas New York Times", Cecile Mclorin Salvant.

Organizatorët paralajmëruan gjithashtu një program shoqërues me dokumentarë që lidhen me xhazin, si dhe ekspozitën "Radical chimeras" të Rob Mazurek.

Gjithashtu, do të ndahet çmim për muzikantin më të mirë të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa këtë vit është planifikuar një punëtori për fëmijë, "Jazz for Kids" në Shtëpinë e Evropës.

Në fjalën e tij, Belopeta u ankua për mbështetjen e dobët nga autoritetet lokale dhe qendrore.

Hapja zyrtare e "Skopje Jazz Festival" është më 17 tetor në ndërtesën e Operës dhe Baletit, ndërsa organizime janë planifikuar edhe në Qendrën Kulturore Maqedonase. Çmimi i kompletit të biletave është 3.500 denarë.

"Skopje Jazz Festival" është një nga manifestimet kryesore kulturore në Maqedoninë e Veriut, me një traditë prej 42 vitesh radhazi dhe me reputacion në Evropë dhe botë, dhe është ndër festivalet kryesore të xhazit në Evropë. Festivali filloi në vitin 1982 dhe është anëtar i shoqatës prestigjioze "European Jazz Network"./aa