Kryeministri Edi Rama ka folur shkurt për mediat para nisjes së konferencës së Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Rama tha se çdo gjë është shumë e qartë për t’u bërë shtet anëtar i BE dhe se janë detyra shtëpia, një mal për t’u ngjitur. Ai theksoi se “ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Evropian brenda vitit 2030”.

“Nuk ka asgjë të veçantë. Çdo gjë është shumë e qartë për t’u bërë shtet anëtar. Duhet të ngresh jo vetëm shpirtin, por kështu dhe të gjitha forcat që të punojnë së bashku në realitetin e vendit për të garantuar një vend që funksionon mirë, iu shërben qytetarëve të vetë dhe sanksionon në jetën e përditshme çfarë shkruhet në Kushtetutë dhe të gjitha angazhimet. Kështu që janë detyra shtëpia, një mal për t’u ngjitur dhe tani më ne jemi në ngjitje e sipër, me ide të qarta, me një vullnet mjaft të fortë dhe nuk ka aspak dyshim që duhet të arrijmë atë që duhet arritur që do të thotë Shqipëria në BE brenda 2030. Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Evropian brenda vitit 2030”, tha Rama.

Takimi drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së. Pas takimit rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.Shqipëria do të përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Edi Rama, Kryenegociatorja Majlinda Dhuka si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, te njohura si “Themeloret”.

Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin 1, që përfshin fushat dhe kapitujt e negociatave si:

Funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike

Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore

Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria

Kriteret ekonomike

Kapitulli 5 – Prokurimi publik

Kapitulli 18 – Statistikat

Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

/BalkanWeb