Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijarto, deklaroi sot, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi se, Shqipëria mund të hapë një tjetër grup-kapitujsh, atë që ka të bëj me marrëdhëniet me jashtë, brenda këtij viti në Presidencën hungareze.

I pyetur, pas përfundimit të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Luksemburg ku u hapën kapituj themelorë të negociatave, nëse do të ketë hapje negociatash me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor Szijarto tha se, Hungaria e ka vendosur në krye të axhendës së saj përshpejtimin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

“Kur vjen fjala për axhendën e Presidencës, çështjen e përshpejtimit të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor e kemi vendosur në krye të saj dhe kemi disa plane mjaft konkrete. Njëri prej tyre u realizua sot. Ishte një plan e objektiv shumë i qartë i yni për të nisur negociatat e mirëfillta më Shqipërinë.

Szijarto shtoi se përpara fundit të vitit mund të hapet me Shqipërinë edhe grup-kapitulli që ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë.

“Mund ta shënjojmë këtë kutizë, pjesërisht, sepse besoj që në qoftë se gjithsecili bën punën e vet në mënyrë të drejtë dhe në mënyrën e duhur, atëherë përpara fundit të vitit, një tjetër grup-kapitujsh duhet të mund të hapet me Shqipërinë, që është e 6-ta dhe që ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë, dhe që është e qartë që praktikisht, pragmatikisht, po ta shohësh këtë çështje, Shqipëria është gati”, nënvizoi kryediplomati hungarez.

Ndaj, shtoi ai, “shpresoj që të gjitha detyrat burokratike të shtëpisë do të bëhen këtu në Bruksel dhe pastaj do të mund të ulemi për një tjetër Konferencë Ndërqeveritare përpara mbylljes së mandatit të kësaj Presidence”./ata