Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në KE, Olivér Várhelyi deklaroi sot se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur një ecuri të mirë në zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve.
Ky plan investimi është mbështetje për rajonin, por edhe një instrument i rëndësishëm për ta sjellë sa më pranë rajonin me BE.
Nga Luksemburgu, ku po mbahet sot Konferenca e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila çel grup-kapitullin “Themeloret” në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, si dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së, Peter Szijarto, Komisioneri deklaroi se deri tani është realizuar 60% e tij dhe zbatimi me sukses i tij, nxit një tjetër fond prej 20 miliardë eurosh investime në rajon.
“Në terren duhet të zbatojmë Planin Ekonomik dhe të Investimeve. Kemi lajme të mira, jemi në nivelin 60% të zbatimit. Mendoj se ndoshta është pjesa më e suksesshme e të gjithë pjesës së buxhetit të BE. Kjo nënkupton se jo vetëm që kemi arritur sukses sa i takon zbatimit, por kjo nënkupton edhe që efektivisht programi është edhe mbi atë që duhet të kemi. Plani mund të nxisë një shumë tjetër prej 20 miliardësh investime në rajon”, tha ai.
Këto investime, sipas tij, janë investime që do të krijojnë një ekonomi të re dhe një shoqëri të re në Ballkanin Perëndimor, qoftë sa i takon lëvizshmërisë, energjisë, mjedisit, qoftë trajtimit të mbetjeve apo ujërave të ndotura, në të gjitha aspektet e jetës së përditshme.
“BE po e përshpejton ritmin dhe ndërkohë që pret të ndërmerrni reformat e nevojshme që ju të bëheni anëtar. Kryeministër, keni tashmë gjithçka në dispozicion”, iu drejtua ai kryeministrit Rama.
Plani Ekonomik dhe i Investimeve është një plan afatgjatë i Bashkimit Evropian, i miratuar më 6 tetor 2020, që synon të ofrojë rreth 30 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2021-2027, ku financimi kombinohet me ide për të sjellë ndryshime të ndjeshme në rajon.
BE ka përcaktuar 10 çështje të cilësuara si “më të rëndësishme” që përfshihen në katër objektiva madhorë të planit.
Së pari, BE synon të mbështesë ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor që pësuan një goditje edhe nga kriza e COVID. Për këtë synohet që të fuqizohet konkurrueshmëria e sektorit privat, të fuqizohet rinia dhe të merren masa për përfshirjen e të rinjve në tregun e punës.
Së dyti, një vëmendje të shtuar do të ketë zhvillimi i gjelbër dhe ai digjital. Për këtë do të zbatohen dhe do të zhvillohen nisma që përdorin burime të rinovueshme të energjisë, të përmirësohen ndërtesat për më pak përdorim të energjisë apo ngritja e sistemeve të menaxhimit të mbetjeve, por edhe zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës digjitale.
Së treti, synohet forcimi i bashkëpunimit dhe ndërlidhshmërisë brenda rajonit duket ndërtuar rrugë mes vendeve.
Qëllimi i katërt lidhet me politikat e konvergjencës mes BP dhe BE./ata