Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijarto, deklaroi sot se Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Hungari do të ofrojë trajnim për 50 pjesëtarë të administratës publike shqiptare.
Në një konferencë për shtyp së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, pas përfundimit të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Luksemburg, ku u hapën kapituj themelorë të negociatave, Szijarto tha se, “sot folëm për grup-kapitujt e ashtuquajtur “Themelorët”. Janë 6 grup-kapituj, të cilët duhet të negociohen. E dimë, sepse nuk ka kaluar shumë kohë që kur jemi bërë anëtarë të BE-së. E dimë që procesi i bisedimeve, procesi përgatitor është vërtetë i vështirë, kompleks, i fortë dhe e dimë që përvoja ka rëndësi këtu. Kështu që kur Kryeministri na nderoi me vizitën e tij të premten e kaluar në Budapest ramë dakord që Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të jashtme në Hungari do të ofrojë trajnim për 50 pjesëtarë të administratës publike shqiptare, në mënyrë që ata të mund të kontribuojnë në procedurat e anëtarësimit dhe përgatitjet në përgjithësi”, tha ai.
Duke folur për situatën në Ballkanin Perëndimor, Szijarto shtoi se, “ne jemi të vendosur drejtpërdrejt si fqinj të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillojmë një politikë mjaft të përgjegjshme të fqinjësisë, sepse e dimë se si ndihesh në fqinjësi kur ka paqe, qetësi, zhvillim dhe stabilitet në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe kur përjeton mungesën e të gjithë kësaj. Dhe ne e dimë që procesi i integrimit mund të ndihmojë për ta bërë Ballkanin Perëndimor më të zhvilluar, më me stabilitet e më të sigurt”.
Për rrjedhojë, shtoi ai, “Hungaria është e përkushtuar ta shoqërojë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Ne do të bëjmë më të mirën në këtë drejtim”.
Szijarto falënderoi kryeministrin Edi Rama “që nuk humbi durimin gjatë muajve dhe viteve të fundit për të vazhduar dedikimin dhe përkushtimin e tij dhe mund t’ju premtoj që do t’i përgjigjemi reciprokisht këtij përkushtimi dhe këtij durimi”.
Ai gjithashtu njohu meritat e Komisionerit për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, “jo për shkak të shtetësisë, por për atë çfarë ka bërë gjatë pesë viteve të fundit”.
“Mendoj që për punën e tij flet më shumë letra e nënshkruar nga katër udhëheqës të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kryeministrin, dërguar Presidentes së Komisionit, ku theksoheshin arritjet që ishin përftuar gjatë mandatit të Komisonerit”, tha ai./ata