Kryeministri Edi Rama në një deklaratë të përbashkët për mediet me Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhely iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve të pranishëm në këtë konferencë.
I pyetur nga gazetarja e “Deutsche Welle” për qasjen e kryeministrit Rama ndaj Italisë dhe marrëveshjes për emigrantët, si një tipar për zgjerimin e Evropës, Rama u përgjigj:
“E kam shpjeguar gjatë për gazetarë të panumërt dje në Berlin, se pse Shqipëria e ka bërë këtë marrëveshje dhe si e shohim ne. Na është kërkuar nga vende të tjera dhe kemi thënë “Jo”. Së dyti, gjithkush duhet ta kuptojë se marrëdhënia jonë me Italinë është shumë e veçantë dhe shkon pas në një kohë me shumë volume ndërveprimi. Që kur dolëm nga gropa e ferrit e regjimit më mizor komunist në Evropë, kur u larguam nga brigjet tona dhe Italia hapi krahët për ne, apo kur Italia erdhi të na shpëtonte nga një katastrofë financiare pas skemave piramidale dhe ndihma për tërmetin. Ata ishin të parët që erdhën dhe rrezikuan për të shpëtuar jetën e atyre nën rrënoja”.
Rama theksoi se Shqipëria nuk është vend i BE-së dhe si pasojë duhet të ketë një tjetër qasje nga ajo e vendeve të tjera.
“Ne nuk jemi vend i BE-së, kështu që gjeografia jonë flet shumë për atë që kemi bërë për Italinë dhe nëse ka ndonjë gjë për t’u përpunuar mbi këtë model duhet të jetë në shkallët e epërme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Emigracioni nuk është diçka që mund ta zgjidhësh një copë këtu e një atje, por si një qasje cilësore e BE-së”.
Kryeministri Rama e mbylli fjalën e tij me qëndrimin e tij se Shqipëria është një vend që i duhet BE-së përtej rrugëtimit për të mbërritur deri këtu.
“Në fund, do thoja se jemi shumë të prirur të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për të qenë një shtet anëtar dhe krenar i BE-së. Edhe pse jam nga më të gjatët mes kryeministrave, kjo nuk më shpërqendron nga fakti se përfaqësoj një nga vendet më të vogla. Nuk është menu! Kur hyn në një familje të madhe nuk mund të zgjedhësh vetëm ëmbëlsira, por edhe gjëra të tjera që janë në menu, edhe pse nuk janë shumë të shijshme. Kjo është mënyra si e shohim ne angazhimin tonë ndaj kësaj familjeje. Të qenit besnikë. BE nuk do të ketë kurrë një anëtar më besnik se Shqipëria.”/ata