Hapja e grupkapitullit të parë në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian shënon një hap vendimtar për integrimin e vendit.

Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i EMA (European Movement in Albania) shprehet në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, ky zhvillim tregon një përparim të rëndësishëm, pasi Shqipëria bëhet vendi i tretë në Ballkan që hap negociatat, pas Malit të Zi dhe Serbisë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnjën.

“Me hapjen e grup-kapitullit të parë Shqipëria bëhet vend i tretë në Ballkan, mbas Malit të Zi e Serbisë, që nis bisedimet për anëtarësim, duke lënë mbrapa Maqedoninë e Veriut e cila është e bllokuar nga vetoja e Bullgarisë, si dhe Kosovën dhe Bosnjën të cilat ende janë në fazat më të hershme të procesit. Tashmë është e mundur që vendi të hapë dhe grup-kapituj të tjerë në vijim. Nisja e bisedimeve kurorëzon një proces i cili ka pasur ndalesa të shumta në vitet e fundit dhe bën të mundur fokusimin e vëmendjes në reformat më të rëndësishme që vendi duhet të zbatojë”, theksoi ai.

Gjipali nënvizon se, hapja e këtij grup-kapitulli përfshin reformat themelore, të cilat janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm të negociatave dhe përcaktimin e ritmit të tyre.

Kjo nënkupton që reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe përmirësimi i administratës publike janë fusha kritike që kërkojnë vëmendje të veçantë.

Gjipali thekson se, duke qenë se administrata publike është ajo që do të zbatojë reformat, përmirësimi i saj është thelbësor për arritjen e objektivave të anëtarësimit.

“Sfidat kryesore nuk janë të reja për vendin tone, por janë kërkesa që në vazhdimësi BE na ka drejtuar. Më të rëndësishmet në këtë fazë të procesit janë: zbatimi i mëtejshëm i reformës në drejtësi, duke prodhuar rezultate konkrete; reforma në administratën publike, pasi është kjo administratë e cila do të çojë përpara reformat në procesin e integrimit; thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar; prokurimi i fondeve publike i mbështetur në transparencë e konkurrencë të drejtë, etj.”, thotë ai.

Gjithashtu, ai shpjegon se një tjetër sfidë kryesore është zbatimi i mëtejshëm i reformës në drejtësi, që duhet të prodhojë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.

Shqipëria duhet të sigurojë që të përmbushë kërkesat e BE-së në këto fusha, të cilat janë të njohura për vendin, por që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm për të sjellë ndryshime reale dhe të prekshme.

Gjipali vëren se konferenca ndërqeveritare më 15 tetor në Luksemburg, që do të nisë formalisht negociatat, është një hap kyç.

Ajo do të ndihmojë në përshpejtimin e negociatave dhe do të sjellë një intensifikim të monitorimit të reformave nga ana e BE-së.

Në këtë fazë, Shqipëria pritet të përqendrohet më shumë në reformat strukturore dhe institucionale për të përmbushur standardet evropiane.

Sipas tij, nëse Shqipëria tregon përparim të vazhdueshëm, ka gjasa që në një kohë relativisht të afërt të hapen edhe kapituj të tjerë, si ai për tregtinë.

Ky progres do të jetë rezultat i një angazhimi të përbashkët të administratës publike, politikës, dhe shoqërisë civile për të përmbushur detyrimet që vijnë me anëtarësimin në BE.

“Me nisjen e negociatave procesi do të intensifikohet edhe më shumë, dhe do të kërkohet një angazhim shumë i madh i administratës publike për të ndërmarrë e zbatuar reformat e kërkuara, po gjithashtu dhe politikës, grupeve të interesit e shoqërisë civile. Monitorimi i këtyre reformave nga BE, gjithashtu do të jetë më intensiv dhe i vazhdueshëm. Nëse ecuria e reformave do të vazhdojë me ritmet e viteve të fundit, është e mundur që shumë shpejt të hapet dhe grup-kapitulli i dytë, që ka të bëjë me tregtinë. Nisja e negociatave do të ndikojë pozitivisht dhe tek administrata publike e cila do të merret tashmë me thelbin e procesit dhe anëtarësimi në BE do të jetë pjesë e punës së tyre të përditshme”, shprehet Gjipali për ATSH-në.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper II) ka miratuar një qëndrim të përbashkët të BE-së duke hapur grupin e parë të negociatave me Shqipërinë, duke lejuar kështu mbajtjen e një konference ndërqeveritare me Shqipërinë më 15 tetor 2024 në Luksemburg.

Shqipëria do të jetë e para ndër vendet kandidate që do të hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, e cila do të jetë një moment kyç për vendin e Ballkanit Perëndimor.

Grupi i parë i kapitujve mbulon reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave./ata