Në intervistën dhënë për televizionin e Kosovës TëVë1, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është pyetur në lidhje me procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, ku së fundmi ka patur debate në lidhje me përçarje dhe për interferime të Kosovës dhe Shqipërisë në ambientin politik tek partitë shqiptare.
“Mendoj që këto duhet të jenë procese sa më demokratike, por edhe sa më të pandikuara të vetë qytetarëve, sepse ata do të zgjedhin udhëheqësit e tyre që do t’i drejtojnë. Sido që të jetë, është e padiskutueshme që faktori shqiptar do të vazhdojë të jetë një garanci për Maqedoninë Europiane, për Maqedoninë Euroatlantike, cilido që të jetë rezultati i zgjedhjeve atje qoftë midis partive maqedonase apo qoftë midis partive dhe koalicioneve shqiptare”, tha Meta.
I pyetur për një fitore të mundshme të VMRO-DPMNE do të ndikonte dhe do të ndryshonte në kursin europian të Maqedonisë së Veriut, ai tha:
"Nuk e besoj, sepse vendimet kryesore në Maqedoninë e Veriut tashmë janë marrë, siç është Marrëveshja e Prespës. Ndryshime shumë të rëndësishme kanë ndodhur. Me aq sa kam vënë re, VMRO-DPMNE ka pasur një qëndrim shumë të qartë sa i takon procesit të Berlinit dhe përmbushjes së detyrimeve përsa i takon integrimit në Bashkimin Europian. E theksoj edhe njëherë nuk shikoj asnjë shqetësim për të ardhmen europiane dhe euroatlantike të Maqedonisë së Veriut”, tha Meta.