Protagonistët e fitores së Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë u shprehën mjaft të kënaqur për 3 pikët e marra të cilat i japin mundësi Kombëtares të shpresojë për të fituar grupin B1 në Ligën e Kombeve.
Kristjan Asllani e pranoi se ishte një ndeshje e vështirë, por të bashkuar ia dolën të marrin fitoren.
Sipas tij, Shqipëria ndaj Gjeorgjisë ishte më shumë skuadër, duke mbrojtur të gjithë bashkë për të marrë 3 pikët.
“Këtë bluzën do e mbaj gjithmonë, sepse erdhi goli. Ishte një ndeshje shumë e vështirë. E dimë që në shtëpi janë një skuadër e organizuar. E dinim që do luanin kështu. Sot ishim më të motivuar nga fillimi. Kjo është Shqipëria”, tha ai në një prononcim për TV Klan.
“Kur fiton është mirë, por i dimë kritikat pas ndeshjes me Çekinë, sepse ky është futbolli. Ne jemi këtu të gjithë dhe jemi bashkë. E dinim që do të vinim këtu për të marrë pikë dhe ia dolëm”, tha ai.
“Kur ekipet mbyllen, nuk prek shumë topa. Preferoj të ulem unë dhe të marr topin. Nuk rri mirë në fushë nëse nuk prek top. Tërhiqem unë dhe ngrihet Ramadani. Te goli, e dija që topi do të shkonte te Tuci, më pasoi dhe shënova”, shtoi më tej talenti i Interit.
“Të gjithë ne japim maksimumin. Unë kur futem në fushë, futem për të fituar. Ndaj Çekisë, pësuam shpejt. Sot ishim skuadër, u mbrojtëm mirë dhe ia dolëm. Ishte shumë e vështirë. Duhet të dalim të lumtur nga kjo ndeshje”, deklaroi Asllani.
Ndërsa mbrojtësi Ardian Ismajli, i cili në takimin Gjeorgji-Shqipëri mbante shiritin e kapitenit tha se fitorja e kuqezinjve ishte e merituar.
“Ndeshjen me Çekinë e kemi harruar direkte në momentin që kemi shkuar në hotel dhe kemi menduar direkte për Gjeorgjinë. Kemi dominuar kundërshtarin. Besoj që e kemi merituar dhe e kemi dominuar kundërshtarin. Erdhëm për atë që deshëm dhe po kthehemi në shtëpi të motivuar për ndeshjet e Nëntorit”, tha mbrojtësi i Kombëtares për TV Klan.
Me 6 pikët që ka tanimë Shqipëria, për Ismajlin gjithçka është e hapur.
“Ata edhe me një barazim ishin të lumtur, sepse kishin 6 pikë dhe do iknin me 7. Ndërsa ne kishim 4. Tani jemi në një grup… ta shohim sesi do të mbarojë Çekia me Ukrainën, por të paktën 3 ekipe jemi me 6 pikë dhe gjithçka është e hapur në Nëntor, ku do jemi krah publikut tonë të zjarrtë që gjithmonë nga ka mbështetur. Besoj që do të jemi më të motivuar se kurrë do ia dalim”, tha ai.
Indrit Tuci ishte një prej yjeve të ndeshjes Shqipëri-Gjeorgji. Ai tregoi si është mirëpritur nga djemtë e tjerë të kombëtares dhe shprehu kënaqësinë që u dhuruan fitore tifozëve.
“E kemi përjetuar shumë mirë. Është ndjenjë e jashtëzakonshme që të mbash fanellën e kombëtares, çunat më kanë pritur shumë mirë që nga dita e parë. Aty e kuptova direkt që jemi një grup shumë i mirë dhe falë Zotit fituam edhe sot sepse na dyshuan tifozët në ndeshjen me Çekinë dhe sot u dhamë një dhuratë të bukur”, theksoi ai për TV Klan./ata